Anglia ka harruar për një moment dështimin e Mançester Sitit dhe suksesin e Liverpulit në Champions League, sepse sot të gjithë po merren me… golin e Herri Kejnit!
Sulmuesi i Totenhemit pretendonte se një gol ndaj Stouk Sitit fundjavën e shkuar i takon atij, edhe pse duket se e shënoi Kristian Eriksen. Në minutën e 62-të të takimit Eriksen ekzekutoi një goditje dënimi dhe topi i tij në formë krosi përfundoi në rrjetë, duke i dhënë fitoren Totenhemit. Nga pamjet filmike dallohet se Herri Kejn mundohet ta prekë topin, por nuk duket se e ka prekur atë dhe Paneli i ekspertëve që merret me raste të tilla në Premier Ligën angleze ia ka akorduar golin mesfushorit danez.
Totenhemi kërkoi ndryshimin e vendimit, për ta çuar Kejnin në kuotën e 25 golave. Kejn është në garë për Këpucën e Artë në Premier Ligë (e ka fituar në dy edicionet e fundit), por Mohamed Salah është larg për momentin, me 29 gola në kampionat.
Pas ndeshjes Kejni këmbënguli se topi e preku në shpatull, duke u bërë objekt batutash për deklaratën e tij: “Betohem për kokë të vajzës se e preka topin, por nuk kam ç’të bëj. Nëse e ndryshojnë vendimin, shumë mirë, nëse me besojnë, shumë mirë. Rëndësi ka që fituam ndeshjen”.
Totenhemi kërkoi që goli të shqyrtohet sërish, këtë radhë nga një panel tjetër ekspertësh, vendim që u pranua dhe Premier Liga ia akordoi golin Kejnit!
Reagimet ishin nga më të ndryshmet, duke nisur nga rivali i Kejnit për Këpucën e Artë, Mohamed Salah, i cili në Twitter postoi vetëm: “Woooow, vërtet?”
Wooooooow really ?
— Mohamed Salah (@22mosalah) April 11, 2018
?????????
— Jamie Vardy (@vardy7) April 11, 2018