Shkumbini në kaos total: humbja e fundit kundër Turbinës solli largimin e trajnerit Branica, me renditjen që është bërë tepër shqetësuese, por sot ka ardhur bomba e madhe. Klubit peqinase i janë hequr tre pikë në renditjen e Kategorisë së Parë. Kjo do të thotë se Shkumbini zbret në fundin e tabelës në grupin e vet play-out, duke u barazuar në pikë me Naftëtarin, me 8 pikë, 3 me pak se Turbina.
Federata Shqiptare e Futbollit është njoftuar për vendimin më të fundit të Komisionit të Disiplinës në FIFA për çështjen e klubit argjentinas Atletico All Boys kundër klubit të futbollit Shkumbini, lidhur me kompensimin për trajnim të lojtarit Federico Mazur. Mbrojtës 24-vjeçar ka qenë pjesë e Shkumbinit në sezonin 2013-14, duke luajtur nga shkurti deri në prill 2014, në 8 ndeshje në Kategorinë e Parë.
Për shkak të moszbatimit të vendimit të marrë nga Komisioni i Disiplines i FIFA-s me datë 7 Shtator 2017 nga ana e klubit të futbollit Shkumbini, është implementuar menjëherë nga FSHF, pika 4 e vendimit, duke i zbritur klubit të Shkumbinit 3 (tre) pikë nga klasifikimi aktual në kampionat.
FSHF pasi ka përcjellë vendimin tek klubi i futbollit Shkumbini i bën me dije marrjen e masave të menjëherëshme për shmangien e penaliteteve të mëtejshme, në rast moszbatimi sërish.