Portieri i kombëtares sonë, Etrit Berisha, është shfaqur sot para gazetarëve, për të folur për miqësoren kundër Norvegjisë, ndeshjet e Nations League dhe rivalitetin me Thomas Strakoshën, për njëvend në formacionin kuqezi.
“ E njoh që te Lacio Strakoshën dhe kemi një marrëdhënie jashtëzakonisht të mirë. Mundësia më e mirë që të zhvillohemi është konkurrenca. Në këtë rast, cilido nga ne që të luajë, është avantazh për Kombëtaren”, shprehet Berisha, i cili në fakt kundër Norvegjisë pritet të mos luajë, pasi vuan nga një dëmtim.
“ Kam një dëmtim në muskulin e kofshës dhe kemi vendosur me stafin mjekësor të shohim këto ditë. Nëse do të jem në gjendje, do të mundohem të ndihmoj ekipin. Kemi edhe disa ditë në dispozicion deri në ditën e ndeshjes, të shohim”.
Nations League në horizont: “Ka kohë për të menduar për Izraelin e Skocinë, fillimisht jemi të përqenruar te miqësorja ndaj Norvegjisë. Janë skuadra të forta, sidomos Skocia që ndoshta do të jetë më e vështirë në ndeshjen që do të kemi atje, pasi në shtëpi janë të fortë”.