Tërbuni u mund javën e shkuar në Kavajë dhe ishte një ndeshje ku skuadra pukjane pati ankesa të shumta në lidhje me gjykimin. Një penallti kundër dhe në përgjithësi vendime mjaft të dyshimta kanë alarmuar drejtuesit e Tërbunit, që po shohin me shqetësim nga vazhdimi i sezonit, sepse duket qartë një tendencë negative e arbitrave në javët e fundit.
Nesër Tërbuni do të vizitojë Burrelin dhe është një finale e vërtetë, sepse një rezultat pozitiv shton ndjeshëm shanset për mbijetesë për pukjanët, që aktualisht kanë 10 pikë, 4 më pak se Burreli, por me një ndeshje më pak.
MOTI SHQETËSON – Në shkurt të këtij viti Burreli fitoi në Shkodër ndaj Tërbunit, që nuk mundej të luante në Pukë për shkak të motit të keq dhe pikërisht moti po e shqetëson shumë këtë vit. Edhe stërvitjet e ditëve të fundit Tërbuni i ka zhvilluar në kalçeto, për shkak të shirave të rrëmbyer dhe kushteve të pamundura për stërvitje në Shkodër, aty ku stërvitet zakonisht.
KËRKESA – Drejtori sportiv i Tërbunit, Oltijon Kërnaja, është i bindur se Tërbuni mund të marrë pikë në Burrel, por ka vetëm një kërkesë për sektorin e gjykimit dhe FSHF-në: “Në Burrel shkojmë për rezultat pozitiv, pse jo të fitojmë. E vetmja gjë që kërkojmë është një arbitrim korrekt. U bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që ndeshja e së shtunës të drejtohet nga arbitra asnjanës, në mënyrë që rezultatin e takimit ta vendosë fusha. Është një ndeshje mjaft delikate, ndoshta vendimtare për sezonin e dy ekipeve, ndaj shpresojmë të shohim një arbitrim ndryshe, duke parë që në ndeshjet e vitit 2018 disa arbitra kanë shfaqur hapur një tendencë për të ndëshkuar skuadrën tonë. E dimë forcën e skuadrës sonë, kemi besim se mund t’ia dalim, por vetëm nëse luhet futboll i vërtetë e pa ndikim nga gjykimi”.