Kapiteni i Skënderbeut, Orges Shehi do të mungojë minimumi një muaj dhe ky ishte lajmi më i keq për stafin teknik të korçarëve. Dëmtimi në pjesën e brendshme të ligamentit ka bërë që Shehi të nisë punën për rikthimin, por në disa ndeshje kampionati dhe gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë e ka të vështirë të luajë. Ai shpreson shumë që skuadra e tij këtë vit të fitojë të dy trofetë, duke e konsideruar sezonin e duhur për suksesin e dyfishtë. Për “Sport Ekspres” portieri Shehi u shpreh: “Jemi në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë dhe normalisht të gjitha kombinimet që mund të binin, do të prodhonin ndeshje të forta. Kjo edhe për faktin se janë gjysmëfinale dhe ndeshen ekipet që ndodhen në vendet më të larta në Superligë. Nuk kisha ndonjë preferencë për shortin, por që gjithsesi më kënaq. Kupa ka një tjetër specifikë, teksa janë 180 minuta për tu luajtur, ndërkohë që si ne, por edhe Flamurtari, do të kërkojmë të jemi në finale. Do të mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme në të dyja ndeshjet.
“Të jem i sinqertë, gjithmonë e kemi thënë vitet e fundit se duam ta fitojmë këtë trofe, por nuk e kemi fituar asnjëherë. Shpresojmë që ky të jetë viti i duhur për ta bërë realitet një gjë të tillë. Jemi 15 pikë të shkëputur në krye të Superligës dhe jemi më të qetë. Asnjëherë më parë nuk kemi pasur një diferencë kaq të madhe me vendin e dytë. Ndoshta kjo them se do të na ndihmojë shumë për ti fituar të dy trofetë. Them se është viti i duhur, sepse jemi absolutisht ekipi më i mirë dhe, duke parë cilësitë që kemi, besoj se do tia dalim këtë herë për ta fituar titullin dhe kupën.