Trajneri i Kukësit: Nuk duhet të kemi frikë, por respekt për kundërshtarin. Vetëm një gjë është e ditur: do të bëjmë çmos që të fitojmë
Jurgen Zela
Trajneri i Kukësit, Peter Pakult, ka folur para ndeshjes me Vllazninë në konferencën e zakonshme për shtyp. Tekniku austriak ka treguar gjendjen e skuadrës, por ka komentuar edhe formën e Sindrit Guri, i cili nuk është ftuar në Kombëtare nga ana e trajnerit Kristian Panuçi.
Si është situata në skuadrës, pas humbjes me Luftëtarin?
Është fakt, që na erdhi në një moment të mirë humbja me Luftëtarin. Ata kishin 11 ndeshje pa humbje dhe i mundi Partizani. Bëmë një ndeshje të dobët, sidomos në pjesën e dytë. Do tentojmë t’i ndryshojmë gjërat në ndeshjen me Vllazninë. Mund të bëjmë shumë mirë se në pjesën e dytë me Luftëtarin, këtë e dinë të gjithë, e kemi treguar edhe në ndeshjet e mëparshme dhe shpresojmë që ekipi të rikthehet aty ku duhet. Jam i bindur se do tregojmë tjetër fytyrë në këtë ndeshje.
Guri po bën mjaft mirë me Kukësin, por i mungon ftesa nga Panuçi, keni një koment për këtë vendim?
Nuk më takon të flas për zgjedhjet e Panuçit, pasi është ai trajner i Kombëtares, ai bën zgjidhjet e veta. Me ndeshjet që po bën ka treguar se është momentalisht sulmuesi më i rrezikshëm në kampionatin shqiptar. Uroj që të mbajë këtë ritëm e të shohim se si do të shkojnë gjërat në të ardhshëm. Mendoj se ka një ecuri të mirë dhe shpresoj ta mbajë këtë ritëm. Po shoh që është i përqendruar dhe do të vazhdojë të rritet.
Vllaznia po paraqitet mirë në këto ndeshje, i druheni kundërshtarit të radhës?
Kam informacion për skuadrën e Vllaznisë dhe e di që kanë marrë lojtarë cilësore në janar dhe po marrin rezultate në javët e fundit. Ne jemi të përqendruar te puna jonë, e dimë se do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne do të japim maksimumin për ta fituar ndeshjen. Me sa kam parë, Vllaznia është një skuadër që vendoset mirë pas dhe provon të befasojë kundërshtarët me kundërsulme. Besoj se dhe nesër kështu do të veprojë. Jemi përgatitur për këtë gjë.
Jeni i shqetësuar për gabimet që skuadra bëri me Luftëtarin dhe a besoni se i keni korrigjuar ato?
Mendoj që i shqetësuar jam kur pas takimeve me presidentin, gjërat që flas me të nesërmen dalin në gazetë. Kjo gjë nuk më pëlqen fare. Sidoqoftë do shohim se çfarë do të ndodhë. Nuk luajtëm mirë dhe nuk është ashtu sikur donim, pasi bëmë shumë gabime në atë ndeshje dhe duhet të përmirësohemi në ndeshjen e nesërme.
Sukaj po kalon një moment të mirë, i druhen sulmit të shkodranëve?
Nuk duhet të kemi frikë, por respekt. Vetëm një gjë është e ditur, që do bëjmë çmos që të fitojmë.
Si është gjendja e skuadrës, ka diçka që nuk shkon?
Është fakt që kemi disa lojtarë me nga 3 kartonë të verdhë. Nuk më pëlqen se dy prej kartonëve i morën ndeshjen e kaluar për kontestime ndaj arbitrit. Ndaj Vllaznisë duhet të jem agresiv që nga minuta e parë dhe do tentojmë të fitojmë. Këto lojtarë duhet të jenë të kujdesshëm që të mos marrin kartonë. Kjo nuk do të thotë se nuk do të futen në dyluftim apo do jenë të kujdesshëm sepse e dimë se si është fusha te ne, është e vogël dhe duhet luftuar shumë.
Do të ketë lëvizje në formacion për këtë ndeshje?
Po, do ketë. Është normale kjo. Kur nuk funksionon diçka si duhet mundohem të marr më të mirën nga ekipi im. Në sulm nuk kam mundësi të bëj ndryshime të mëdha. Të shohim, pasi nuk kemi shumë për të ndryshuar në sulm.