Real Madridi kthehet i katërti, me një fitore spektakolare 6-3 ndaj Zhironës, që shkoi në Bernabeu dhe luajti pa frikë, duke sulmuar, çka i kushtoi shtrenjtë, sepse përballë kishte një përbindësh si Kristiano Ronaldo.
Duket se portugezi u prek nga elozhet që morën Salah e Ikardi, autorë të 4 golave secili këtë fundjavë, ndaj edhe CR7 vendosi t’u dërgonte një mesazh se është ai më i madhi për këtë vit, sepse ka shënuar si askush në vitin e ri, ndër ligat e mëdha.
Që në minutën e 11-të Ronaldo zhbllokoi sfidën dhe nisi sfidën personale me Stuanin, sepse edhe sulmuesi i Zhironës ishte në superformë, me dy gola të shënuar. Gjithsesi, barazimi i tij vlejti ekuilibër deri në pushim, ndërsa më pas rinisi spektakli i Ronaldos, me 3 gola të tjerë, ndërsa Lukas e Bejl shtuan nga një gol.