Alban Bushi nuk e thotë hapur, por ndoshta pak pakënaqësi në lidhje me Kristian Panuçin, i cili i ka marrë njëherësh Kristal Abazajn dhe Ylber Ramadanin, dy titullarë të rëndësishëm te Shpresat, por me pak shanse të luajnë në kombëtaren A në miqësoren e radhës ndaj Norvegjisë.
Në emisionin ‘Zona Gol’, të shtunën në mbrëmje, trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, foli në lidhje me këtë temë.
“Një lojtar duhet të tregojë veten te Shpresat fillimisht dhe më pas ftesa nga Kombëtarja e madhe vjen vetë. Shembulli ideal është Ramadani, që punonte te Shpresat me seriozitetin maksimal, pa e pasur mendjen te ekipi A dhe ftesa erdhi vetë për të, ndaj mendoj se duhet që të gjithë të ndjekin rrugën e tij. Gjithsesi, unë mendoj se ne kemi shumë lojtarë që mund të përfaqësojnë me dinjitet Kombëtaren e madhe, duke filluar që nga portieri Selmani, e deri te sulmuesit, Ne po presim edhe Rei Manajn, që do të vijë dhe do të tregojë veten, ndaj mund të them se e ardhmja e e Shqipërisë është në duar të sigurta”.
Superiorja: “Kampionati shqiptar ka ardhur në ngritje graduale dhe tani po prodhon shumë futbollistë cilësorë, ndaj edhe fokusi im është maksimal. Gjithsesi vlen të përmendet se ka një lloj inferioriteti psikologjik të lojtarëve që luajnë në Shqipëri, ndaj atyre që vijnë nga jashtë dhe këtë duhet ta eliminojmë ne me punën tonë. Gjithsesi ka lojtarë mjaft interesantë si Fangaj, Krymi, Çinari, ndonëse ky i fundit nuk ka qenë pjesë e Shpresave, por edhe ata që nuk luajnë me Shpresat, nuk duhet të dorëzohen, pasi Kombëtarja A arrihet edhe pa luajtur më parë më Shpresat”.
Abazaj e Ramadani: “Nuk besoj se do ndihet mungesa e tyre, pasi edhe lojtarët që kanë ardhur, janë të gatshëm të japin maksimumin dhe t’i zëvendësojnë denjësisht. Nuk kemi Abazajn, por kemi Seferin dhe Manajn, lojtarë që mund të vendosin një ndeshje. Unë dua vetëm që lojtarët të vrapojnë mirë, pasi vetëm kështu mund të kapim kundërshtarin. Kështu që nuk ka keqardhje, pasi jemi të bindur se do marrim maksimumin. Na ka ardhur Ndoji, futbollist që më herët është grumbulluar nga Panucci dhe normalisht që do të jetë një vlerë e shtuar në mesin e fushës. Fola me Panuçin që të më linte Ramadanin të paktën deri më datë 24 për ndeshjen, por nuk pranoi dhe e mirëkuptova. Edhe për mungesën e Abazajt nuk kisha dijeni deri para dy ditësh, por dëmtimi i lojtarëve të skuadrës së parë, bëri që Panuçi ta kërkonte në skuadrën e tij. Me trajnerin kemi një komunikim mjaft të mirë, për të mirën e Shqipërisë”.
Lojtarët që luajnë jashtë: “Disa nga lojtarët e mbrojtjes në një vit kanë luajtur rreth 50-60 minuta, por i kam grumbulluar për t’i pasur pranë dhe për më tepër, kur i kam aktivizuar kanë bërë mirë. Unë preferoj një lojtar që luan mirë dhe nuk bën gabime, pavarësisht se ku luan. Mua më rezulton se më mirë paraqitet Maloku që aktivizohet shumë pak, sesa një lojtar i kampionatit shqiptar, që luan rregullisht. Pra, mundohem të përzgjedh më të mirët mes lojtarëve që kam në dispozicion, pa u shqetësuar për klubin ku luan”.