Mesfushori i Skënderbeut e thotë troç se ka bërë zgjedhjen më të mirë që është veshur kuqezi
Enis Gavazaj është ndër lojtarët kryesorë të Skënderbeu dhe paraqitjet e tij janë shpërblyer me një ftesë nga trajneri Kristian Panuçi në Kombëtare. Para gazetarëve është dukur shumë i lumtur për ftesën e marrë nga përfaqësuesja kuqezi. Në fakt, Gavazaj ka qenë pjesë e kuqezinjve të moshave dhe tani erdhi edhe ftesa e shumëpritur, një mundësi më shumë për të treguar vlerat e tij në fushë. Sa i përket Skënderbeut dhe objektivit të klubit, Gavazaj e ka thënë troç: kampionati është mbyllur.
-Enis, grumbulloheni për herë të parë në kombëtare. A jeni i kënaqur?
-Si çdo futbollist edhe unë kam menduar që të përfaqësoj ngjyrat e kombëtares kuq e zi. Kjo është si një ëndërr për çdo lojtar dhe një nga arritjet më të mëdha në karrierën e një futbollisti. Padyshim që jam i kënaqur që jam ftuar në Kombëtare.
-Duket sikur nuk e keni gjetur veten si duhet këtë pjesë të dytë të sezonit. A do ju ndihmojë kjo ftesë në kombëtare për të qenë më i qetë?
-Po, padyshim me ftesën nga Kombëtarja do të arrij të tregoj veten akoma edhe më mirë. Do të mundohem gjithmonë të jap maksimumin tim në fushë.
-Duke filluar nga ndeshja me Luftëtarin?
-Sigurisht, pse jo. Ndaj Luftëtarit unë shoh si të vetmen mundësi marrjen e tre pikëve. Ky është objektivi ynë dhe do të mundohemi që të bëjmë më të mirën dhe të dalim me fitore nga ndeshja e sotme.
-Mund të themi se Skënderbeu ju ka sjellë fat?
-Patjetër, me pjesëmarrjen në grupet e Europa League dhe lojërat e bukura që kemi zhvilluar atje, por edhe rezultatet e marra, kanë ndikuar mjaft tek kjo ftesë për grumbullimin nga Kombëtarja. Jo vetëm për ne që jemi ftuar nga Kombëtarja e Shqipërisë, por edhe për ata që janë pjesë e përfaqësueses së Kosovës dhe kombëtareve të tjera. Padyshim që Skënderbeu është një trampolinë e mirë për ne futbollistët.
-I kënaqur që keni zgjedhur Shqipërinë?
-Po, padyshim. Unë kam qenë pjesë e Shqipërisë që me grupmoshat, duke filluar nga U-19 e deri tek Shpresat. Jam i lumtur që kam bërë këtë zgjedhje dhe besoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë.
-Pavarësisht Kombëtares, radhën e ka kampionati…
-Besoj se kampionati është i mbyllur. Unë e kam thënë edhe më herët, kur diferenca nuk ka qenë kaq e madhe. Tani e them akoma më me bindje. Përderisa jemi 15 pikë para kur mbeten edhe 11 javë, mund të them se gjithçka për sa i përket titullit është e mbyllur.