Trajneri i gjirokastritëve thekson se rezultati në Korçë nuk është vendimtar, por kërkon që të mos dalin pa pikë, edhe pse vlonjati ka pasur probleme
Gëzim Beqiri
Luftëtari ka një tjetër ndeshje të vështirë, këtë herë ndaj Skënderbeut, ekip që e ka mundur sivjet, duke u shkaktuar humbjen që në ndeshjen e parë të këtij viti. Sipas trajnerit Hasan Lika, edhe sikur Skënderbeu të mos kërkonte revansh, do të ishte një ndeshje e fortë, pasi korçarët kërkojnë të sigurojnë titullin kampion sa më shpejt. Pas fitores ndaj Kukësit, gjirokastritët kanë rritur pretendimet dhe kërkojnë të marrin pjesën në Kupat e Europës, gjë që do të ishte historike. Në konferencën e djeshme për shtyp, kreu i pankinës bluzi ka komentuar pritshmëritë që ka për ndeshjen me korçarët, si dhe ka vënë në dukje faktin se skuadra e tij shkon për një rezultat pozitiv. ”Shkojmë në Korçë për të dhënë në fushën e lojës më të mirën e mundshme, duke pretenduar për një rezultat pozitiv. Edhe sikur të fitojmë nuk do të thotë se e kemi siguruar pjesëmarrjen në Europë, por është një mundësi më shumë. Duhet të ecim në rrugën e mbarë dhe për të shkuar atje ku ne tani pretendojmë është shumë larg, pasi ka shumë ndeshje dhe disa ekipe që e kërkojnë këtë pjesëmarrje. Janë jo vetëm ndeshje, por edhe ekipe të forta, që nuk bëjnë dallim. Skënderbeu është skuadra e radhës që duhet kaluar dhe do të jetë tepër e vështirë. Ky ekip ka shumë sezone që dominon në futbollin shqiptar dhe ndërkombëtar. Favoritët janë vendasit, por ne kemi synimet tona dhe do të mundohemi të paktën të mos humbasim”, u shpreh tekniku Lika.
BREGU
Vlonjati i Luftëtarit nuk do të jetë gati për ndeshjen me Skënderbeun. Vetë trajneri Lika e ka bërë të ditur një lajm të tillë në konferencën për shtyp. Mungon sërish edhe sulmuesi kryesor Vasil Shkurtaj: “Janë mungesa të rëndësishme, por që do të kompensohen me futbollistë të tjerë. Shkurtaj do të mungojë edhe këtë javë, ndërsa Dejvi Bregu është dëmtuar në stërvitjen e djeshme dhe pavarësisht se do të udhëtojë me grupin, ndoshta do të qëndrojë në stol”, përfundoi trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika. Sa i përket pjesës tjetër të skuadrës, nuk ka pasur mungesa, ndërsa tekniku kryeqytetas ka preferuar që të mos e zbulojë formacionin në seancën e fundit stërvitore.