“Të fus plumbin!”. Vllaznia B denoncon dhunën në Peshkopi

Korabi ka fituar sot 1-0 ndaj Vllaznisë B, në një ndeshje të rëndësisë së veçantë, sepse ishte një finale e vogël për mbijetesë në Kategorinë e Parë. Ndeshja ka pasur shumë tension dhe pas takimit Vllaznia B ka shpërthyer në akuza, për presion dhe ofendime, si dhe kërcënime me jetë.

Trajneri Ervis Kraja, i kontaktuar nga “Sport Ekspres”, ka akuzuar drejtpërdrejt presidentin e Korabit, Femi Mëziun: “Mëziu ka ofenduar gjatë gjithë ndeshjes, lojtarët dhe mua personalisht, me fjalë nga më të ndyrat. Është futur edhe në fushë, ai bashkë me zyrtarë të tjerë, duke ushtruar presion dhe duke kërcënuar kapitenin e skuadrës sonë, Enes Isufin, duke i thënë “të fus plumbin”. Bëhet fjalë për një djalë të ri, anëtar i kombëtares shqiptare U-19, i cili ashtu si gjithë lojtarët e Vllaznisë B luan më shumë për pasion, sesa thjesht për një rezultat të marrë me dhunë. Këtë që na ka ndodhur në Dibër nuk do ta falim, do ta çojmë Mëziun në Prokurori, është i gjithë ekipi dëshmitar. Edhe arbitri bën mirë të flasë, sepse edhe ai ka marrë ofendime e kërcënime”.

Për Krajën, tashmë Vllaznia nuk ka rrugë tjetër veçse të bojkotojë kampionatin, nëse Korabi dhe Mëziu nuk dënohen nga Federata Shqiptare e Futbollit: “Ky ekip dhe ky person duhet të dënohen për këtë që ndodhi, përndryshe u siguroj që ekipi im nuk do të luajë më këtë sezon. Është e tmerrshme, i marr djemtë e rinj nga familjet e tyre, dal garant për ta dhe hasim në presione skandaloze e kërcënime të tilla. Më kanë marrë me radhë gjithë prindërit e lojtarëve, në merak për fëmijët e vet, ndërsa drejtuesi i Korabit na thotë që do i dalë autobusit përpara, duke na kërcënuar hapur. Ky nuk është futboll”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *