Përtej momentit të nderë krijuar nga lajmi se Renato Malota mund të ketë telashe me ligjin, për një hetim në lidhje me tjetërsim pronash, futbollistët e ekipit të parë të Vllaznisë janë mjaft të qetë dhe morali është i lartë. Edhe falë premiove të marra nga biznesmeni Tom Doshi, i cili e ka shpërblyer skuadrën për rezultatet e mira në ndeshjet e fundit, lojtarët kuqeblu kanë menduar edhe për Vllazninë B, që luan në Kategorinë e Parë dhe që natyrisht ka një buxhet shumë më të vogël.
Lojtarët e ekipit të parë kanë mbledhur një shumë financiare dhe ia kanë dhuruar futbollistëve të ekipit “B” për të ngrënë një drekë në shenjë mbështetjeje për ta, në një moment aspak të lehtë, sepse Vllaznia B lufton për mbijetesë, në kushte të vështira e pa financa të mjaftueshme për grumbullime, aq sa sot do të udhëtojë brenda ditës për në Dibër, për ndeshjen kundër Korabit.
Gjesti i lojtarëve të Vllaznisë është vlerësuar shumë nga ekipi B dhe trajneri i ekipit, Ervis Kraja, në një prononcim për “Shkodra Sport”, ka deklaruar: ““Të them të drejtën, jam i prekur nga gjesti i Likës, Sukajt dhe gjithë futbollistëve të ekipit të parë të Vllaznisë të cilët kanë mbledhur një shumë financiare të gjithë së bashku me idenë për t’u paguar një drekë nesër ekipit “B” gjatë udhëtimit për në Peshkopi. Kjo tregon më së miri se Vllaznia është një familje e madhe, ku ka vend për të gjithë dhe mbi të gjitha, të gjithë kanë të vetmin qëllim: lartësimin e këtij emri sa më shumë të jetë e mundur. Prandaj gjej rastin t’i falënderoj të gjithë futbollistët e ekipit të parë për këtë gjest që kanë bërë”.