Nga mbrojtja në sulm, Flamurtar plot halle

 Situata te vlonjatët nuk është aspak e mirë, pasi Bicaj e Siljanovski janë të pezulluar, kurse dyshja e sulmit Bushic-Nedeljkoviç janë ende në dyshim

 Elton Nika

Flamurtari po vuan prej mungesave. Muarem, Tunkara dhe Nurkoviç do të rikthehen të jenë gati për skuadrën pas ndeshjes me Partizanin, kur edhe fillimisht do të ndërpritet kampionati për shkak të miqësores që Shqipëria luan me Norvegjinë më 26 mars në stadiumin “Elbasan Arena”. Kjo periudhe i vjen në ndihmë Flamurtarit për t’i pasur gati këta futbollistë, por për ndeshjen me Partizanin janë të tjerë që shqetësojnë. Mungesa të sigurta për trajnerin Shpëtim Duro janë Ditmar Bicaj dhe Goran Siljanovski, të dy të pezulluar me kartonë. Lezhjani u ndëshkua me karton të kuq në sfidën me Kamzën, ndërkohë që për maqedonasin i verdhi i marrë ishte i teti dhe duhet të pushojë. Dy lojtarë të prapavijës që nuk do të jenë gati për një ndeshje mjaft të rëndësishme, madje në një periudhë ku Flamurtari ka pësuar 10 gola në katër ndeshje. Nedejlkoviç dhe Bushiç janë futbollistët e tjerë që shqetësojnë stafin teknik dhe janë në dyshim dhe nëse nuk ia dalin numri i mungesave te kuqezinjtë do të shkonte në shtatë. Shpresohet shumë në rikuperimin e dy sulmuesve. Bushiç u cilësua një mungesë shumë e rëndësishme për vlonjatët dhe nga trajneri Duro. Kroati, i cili mban edhe shiritin e kapitenit, është shënuesi më i mirë i skuadrës së tij dhe për momentin po vuan prej një gjendjeje gripale, shoqëruar dhe me temperaturë të lartë. E njëjta situatë edhe për Nedeljkoviç, që mungoi edhe në ndeshjen me Laçin. Deri ditën e hënë do të shihet gjendja e tyre dhe gjasat janë që të jenë gati për ndeshjen me Partizanin.

POLLOZHANI

Lojtari polivalent mungoi në ndeshjen me Kamzën pasi ishte i pezulluar me kartonë të verdhë. Artim Pollozhani do të jetë i gatshëm për këtë takim dhe pritet të zëvendësojë Bicajn në qendër të mbrojtjes. Trajneri Duro duhet të gjejë një zgjidhje për krahun e djathtë të mbrojtjes për të zëvendësuar Siljanovskin. Sikurse dihet në janar janë larguar Jakovljeviç dhe Liçaj, që luanin në atë pozicion dhe për stafin teknik alternativat janë të pakta. Fjorald Deliaj është një nga lojtarët që mund të luajë në të djathtë të mbrojtjes, madje debutimin në Superiore me Tiranën e ka pasur pikërisht në atë pozicion. Trajneri Ilir Daja e pozicionoi titullar në të djathtë të mbrojtjes në vend të Dritan Smajlit dhe në atë rol ka luajtur në disa ndeshje.

GJOBAT

Rezultatet e dobëta kanë bërë që në Vlorë të mendohet edhe për penalizime nga ana e klubit, por ende nuk ka masa konkrete nga ana e drejtuesve kuqezi. Në Vlorë, pavarësisht problemeve nga gjykimi dhe dëmtimet, kërkojnë diçka më shumë nga skuadra. Është folur edhe për gjoba, por për momentin diçka e tillë nuk është aplikuar, ndërkohë që pritet me ngulm që skuadra të rikthehet te rezultatet pozitive.

SITUATA TE FLAMURTARI

TË DËMTUAR

Adis Nurkoviç

Muarem Muarem

Mamadou Tunkara

TË PEZULLUAR

Ditmar Bicaj

Goran Siljanovski

NË DYSHIM

Tomislav Bushiç

Igor Nedeljkoviç

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *