Në Shkodër ka kohë që presin ndihmë dhe një person që t’i dalë zot Vllaznisë, përveç Bashkisë. Tashmë kalohet nga fjalët te veprat, kuqeblutë nuk kanë më justifikime
Vllaznia nuk është vetëm dhe problemi i përmendur deri tani, ai i administrimit vetëm nga Bashkia, që nuk është mjaftueshëm e fortë për të financuar dhe për t’u përkujdesur në çdo detaj për klubin shkodran, duket se nuk ekziston më. Është fakt i njohur që ish-presidenti Valter Fushaj ka dalë hapur me kërkesën e tij për të marrë shumicën e aksioneve te Vllaznia dhe ndonëse procesi i privatizimit do ende kohë derisa të nisë, Fushaj po u qëndron pranë skuadrës dhe drejtuesve. Nuk mbaron me kaq, sepse tashmë në skenë është futur edhe biznesmeni dhe politikani i njohur Tom Doshi, i cili po bën realitet një premtim të hershëm të tij, atë të ndihmës financiare që Vllaznia të rikthehet në nivelin që i takon.
PREMTIMI – Deklarata e dhënë prej tij kohë më parë, në mitingun përmbyllës të fushës së tij elektorale si kandidat për deputet gjatë së cilës ai u premtoi shkodranëve se do ta mbështeste Vllazninë financiarisht bëri jo pak bujë në Shkodër dhe më gjerë. Premtim ky që pati edhe një destinacion konkret, duke theksuar: “Kompania ime farmaceutike do të jetë sponsor gjeneral për Vllazninë dhe do luftojmë që ajo të dalë kampione. Nuk më intereson të bëhem president, sepse nuk vuaj për të tilla gjëra. Më intereson vetëm të hedh lekë e të ndihmoj Vllazninë”. Edhe pas zgjedhjeve Doshi premtoi: “Unë do ta mbështes Vllazninë”.
PREMIO – Fitorja e bukur arritur ndaj Flamurtarit në ndeshjen e fundit në Shkodër ka ringjallur entuziazmin në qytet, por tani e tutje ambiciet rriten dhe gjithashtu skuadra ka një motivim shtesë për të tentuar fitore në çdo ndeshje. Një shpërblim 5000 euro për fitore do të jetë në fuqi në çdo ndeshje deri në fund të kampionatit, mëson gazeta, dhe këtë premio e ka vendosur pikërisht Tom Doshi. Një shifër e konsiderueshme, pasi nuk ka lidhje me premion që mund të japë klubi, ndaj atmosfera në kampin shkodran është e shkëlqyer, aq më shumë që rezultatet e fundit kanë qenë pozitive, ashtu si loja e skuadrës së drejtuar nga Ernest Gjoka.
E ARDHMJA – Deri në fund të sezonit do të mësohet edhe fati i Vllaznisë për sa i përket privatizimit, sepse pritet të nisin procedurat nga Bashkia, ndërkohë që Tom Doshi, së bashku me Valter Fushajn, mund të bashkëpunojnë ngushtë për të marrë Vllazninë e për ta kthyer aty ku i takon. Fushaj i ka dhënë provat te Vllaznia, përveç bizneseve të tij, ndërsa Doshi është ende i paprovuar në sport, por suksesi në biznes flet qartë për forcën e tij dhe aftësinë e ngritjes së një “kështjelle biznesi”, pasi Vllaznia e tillë do të duhet të trajtohet në të ardhmen, për t’u kthyer në një klub të menaxhuar mirë, me financa të garantuara dhe me synimin për të prodhuar lojtarë e të ardhura, që do të nënkuptonte e ardhme e sigurt. Prania e Doshit në këtë moment, qoftë edhe vetëm me premio për fitoret, ka shumë rëndësi edhe psikologjikisht për Vllazninë, pasi tashmë nuk është më thjesht Bashkia në skenë, ka edhe persona të tjerë që e duan të mirën e klubit dhe nuk ndalen thjesht te fjalët inkurajuese.