Në një kampionat që synon të rrisë besimin, cilësinë, garën sportive dhe të ofrojë në përgjithësi një produkt më të mirë ka diçka që nuk shkon, një fenomen që duhet studiuar me kujdes, duhet mbi të gjitha pranuar dhe pse jo përmirësuar: Gjyqtarët. Në unison komuniteti i futbollit pranon se kjo është skuadra më e dobët e Superiores. Gabime në kufijtë e dyshimeve, thashetheme për klientelizëm, akuza në publik për ryshfet, të kontestuar e në ndonjë rast të padëshiruar. Sigurisht që ky është një fenomen mbarë botëror, ka lindur dhe nuk do vdesë kurrë me futbollin dhe nuk ka asnjë diskutim që ata do gabojnë gjithnjë, nën petkun e njeriut dhe jo robotit. Por, sepse ka gjithnjë një por, në futbollin tonë, të thëna apo pathëna qofshin, gjithnjë e më shumë flitet për një rrjet gjykimi i cili shpesh bëhet përcaktues në garë.
Mund të jetë një paranojë, por jo rrallë ka gjyqtarë të cilët marrin përsipër fatet e ndeshjes, ka kolegjiume që bashkëpunojnë për të bërë atë që duan, ka president që ndikojnë te dizenjatori dhe pse gjithnjë e më rrallë ka ende gjyqtarë që marrin ryshfet. Se si mund të korrigjohet e gjitha kjo, është një tjetër temë. Ata gjyqtarë kanë pagesat më të larta në rajon, trajtohen dhe kualifikohen në mënyrë cilësore, ndeshjet transmetohen në TV, ndërkohë që kanë gjithnjë e më pak presion nga ekipet dhe nga stadiumet. Nëse deri para disa vitesh gjykonin në kushte të vështira, sot në përgjithësi janë krejtësisht të qetë për të vërshëllyer sa e mendojnë të arsyeshme. Dhuna pothuajse është zhdukur, ndërkohë që lojtarët në fushë gjithnjë e më shumë janë bashkëpunues. Atëherë çfarë ndodh? Qoftë vetëm një paranojë, sepse nëse ke një gjyqtar përballë të kujton dhe gabimet e arbitrave ndërkombëtare, por shumëkush është i bindur. Ekziston një sistem gjykimi që duhet të ndryshojë.