Tifo-grupi i Partizanit flet hapur kundër drejtuesve të klubit. Të kuqtë sulmojnë drejtuesit e tyre për dështimin në menaxhimin e skuadrës
Shkarkimi i Starovës ndau në gjysmë tifozerinë e kuqe, disa prej tyre mendojnë se nuk duhej shkarkuar, e disa të tjerë mendojnë se drejtuesit e kanë bërë diçka të hajrit.
Të vetmit që nuk kanë aspak dyshime janë tifo-grupi i kryeqytetasve, “Ultras Guerrils”, ata mendojnë se numri një i stolit duhet të ishte larguar me përpara. Tifozët e kuq në një reagim të tyrin në faqen e “Facebook”-ut folën kundër drejtuesve dhe kërkuan llogari për gjendjen e ekipit, por edhe për sezonin e dështuar dhe lojtarët e një niveli të dobët të afruar në merkato.
REAGIMI – “Me gjithë mbështetjen pa kushte në shkallet e stadiumit njëkohësisht e kemi bërë të qartë me çdo mënyrë qëndrimin tonë në lidhje me drejtimin dhe menaxhimin e këtij sezoni që është jashtë çdo objektivi. Dje(Të hënën) u shkarkua një trajner që duhet të ishte larguar me kohë ose nuk duhej rikthyer kurrë. Por nga ana tjetër përgjegjësi konkrete nuk merr askush. Kush përgjigjet për dështimet në merkato? Kush e paguan Çanin 20 mije euro për të luajtur një ndeshje me Kuçovën? Kush përgjigjet për italianet që vijnë për turizëm? Kush përgjigjet për boshatisjen e stadiumit? Kush përgjigjet për keqmenaxhimin?
Të gjitha këtyre pikëpyetjeve duhet t’i jepni përgjigje me seriozitet, duke vepruar. Duke ja nisur fillimisht nga përgjegjësit e merkatos katastrofe Moxhit e Preitit. Partizani nuk mund të bëhet qendër rehabilitimi për plakushe te rrjedhur që vijnë e na shesin mend me përralla e sjellin një tufe lojtarësh skarco të mbipaguar.
“Nga ne kërkohet seriozitet dhe hedhja e themelit të një klubi të qëndrueshëm për të ardhmen e jo klub me mungesë strategjie e vizioni, gabime këto që klubit tonë i kane kushtuar shumë. Gjithashtu na informoni pak ku kanë mbetur punimet për Stadiumin dhe kompleksin e ri? Kur do të përfundohet shtëpia e famshme? Me dashamirësi Ultras Guerrils”, – shkruajnë tifozët e kuq. Në fakt, kjo deklaratë doli nga shpirti i vrarë i tifozëve të kuq, pasi atyre më shumë se kujtdo i dhemb zemra për skuadrën. E shkrimi i tyre është mjaft i goditur, pasi prek një sërë çështjesh të rëndësishme brenda klubit të kuq.