Trajneri francez, më i lumtur se kurrë me suksesin në Paris. “Asensio dhe Vaskes ishin super. Ja pse nuk luajtën Kros dhe Modriç”
Zinedin Zidan është në qiellin e shtatë! Ai nuk ka marrë maksimumin nga skuadra e tij këtë sezon, sepse në La Liga praktikisht nuk ka më shans për të arritur vendin e parë, kurse në Kupën e Mbretit është skualifikuar, por lufta në Champions League me Real Madridin e tij vazhdon. Me suksesin e djeshëm ndaj PSG-së francezi i ka shtuar sërish kreditet vetes, sepse skuadra madrilene fitoi në të dyja takimet bindshëm, madje edhe me mungesa.
Fitorja
“Përgëzoj lojtarët. Bënë një ndeshje të mirë dhe serioze që në fillim. Ishte e rëndësishme që të bënim një ndeshje të tillë. Fituam në një fushë shumë të vështirë. Jemi të kënaqur dhe të lumtur. Na eci mirë me formacionin titullar, madje edhe me ata që luajtën si zëvendësues. Uroj të ecim kështu dhe të kemi sukses së bashku. Pse nuk luajtën Kros dhe Modriç? Duhet të ishin 100% gati fizikisht”, – u shpreh trajneri.
Bejl
I pyetur për Bejlin, që nuk e nisi titullar, numri 1 i stolit madrilen theksoi se rëndësi ka gjendja fizike. “Do të doja që Bejl të luante më shumë, sigurisht, por kemi plot ndeshje. Mendoj se fillimisht ai duhet të jetë mirë fizikisht dhe pastaj të luajë. Nuk më shqetëson fakti që ai mund të ketë ankesa. E njoh mirë. Jemi të lumtur me faktin që fituam të dyja ndeshjet, edhe pse ky rival ishte vërtet shumë i fortë”, – shtoi Zidan.
Të rinjtë
Zidan vlerësoi Asension dhe Vaskesin për kontributin e tyre me lojën nga krahët. “Kërkonim që të kishim të palëvizshme një linjë me katër lojtarë, duke u mbrojtur mirë në mesfushë dhe duke ruajtur një farë ekuilibri. Kjo, fatmirësisht, funksionoi. Marko dhe Lukas kanë disa muaj që luajnë mirë. Sonte (dje) të dy ishin shumë mirë. Sa kam ndikuar unë? Epo, thjesht jap sugjerime, drejtoj dhe pres reagimet. Ne besojmë tek ajo që performojmë”.
PSG
I pyetur për problemet e rivalëve nga Franca, Zidan nuk shprehu eufori aspak. “Nuk besoj që PSG-ja ka ndonjë dobësi. Lojtarët kanë qenë shumë mirë në të dyja ndeshjet, por ne u prishëm ekuilibrat”.