“Deja vu”: më 4 mars 2017 Luftëtari barazonte në shtëpi ndaj Vllaznisë 0-0 dhe ishte në vendin e katërt, mbi Tiranën, Vllazninë e me radhë. Ishte një Luftëtar i bukur, zbavitës, edhe pse shënonte pak, shumë pak, vetëm 22 gola në 24 ndeshje, golaverazh negativ.
Kalendari spostohet një vit përpara: Luftëtari është sërish i katërti, nuk humbet prej 11 ndeshjesh, ka shënuar 27 gola në 23 ndeshje, ka pësuar më pak se vjet dhe ka 4 pikë më shumë se vjet, me një ndeshje më pak. Më e rëndësishmja është se një vit më parë skuadra gjirokastrite ishte 16 pikë larg vendit të dytë dhe 6 pikë poshtë vendit të tretë, ndaj në atë kohë mendonte më shumë për mbijetesën, sesa për Europën.
Tani tabloja është paksa ndryshe, sepse zona e ftohtë është 12 pikë larg, vendi i dytë është vetëm 5 pikë larg dhe Flamurtari i vendit të tretë është në krizë. A mund të tentohet diçka e madhe? Patjetër që po, janë të gjitha arsyet e mundshme: trajner ekspert, klub solid, skuadër e kompletuar në fushë e në stol, janë ende aty Bregu e Abazaj, sa për të përmendur dy emra, por është edhe Shkurtaj, një që po shënon me rregullsinë e një ore zvicerane.
Është një mrekulli ky Luftëtar, askush të mos thotë se e priste, se e dinte, sepse në javën e 12-të, më 26 nëntor, kur Luftëtari mundej 2-1 në Shkodër, renditja ishte e tmerrshme: vetëm 9 pikë në 12 ndeshje, në vendin e parafundit, duke pasur poshtë vetëm Lushnjën. Në atë kohë vendi i katërt ishte 11 pikë larg, ishte Kamza, meqë ra fjala.
Nuk e priste askush një rritje kaq të madhe të Luftëtarit prej dhjetorit, nuk e prisnin as drejtuesit, që e dinë çfarë skuadre kanë ndërtuar, por që në verë qëndronin me këmbë në tokë dhe vendosnin objektiv vetëm mbijetesën. Asnjë ëndërr e tepruar, “të sigurojmë Superioren, pastaj flasim”. Asnjë premio për kualifikim në Europa League, sjell ters, ose askush nuk e mendonte realisht. Edhe vjet Luftëtari e ëndërroi paksa Europën, por në fund vendi i katërt nuk vlejti dhe gjirokastritët për pak pikë, vetëm 5 të tilla, shpëtuan!
Në kontratat e futbollistëve të Luftëtarit nuk ka premio për Europën, më mirë kështu, por është e qartë që nëse kjo skuadër ia del të ruajë këtë ritëm deri në fund dhe të shkojë në Europa League, presidenti Tavo do të duhet të futë thellë dorën në xhep. Jo vetëm ai, por edhe bashkia e pse jo, edhe biznesmenët e fuqishëm të Gjirokastrës…