Berisha: Në Shkodër si në shtëpi, presioni është vetëm i jashtëm

Shqiptaro-maqedonasi i mbrojtjes së Vllaznisë nuk do t’ia dijë për rivalët dhe premton ngritjen e skuadrës shkodrane në vendin që i takon

Gaspër Marku

Lojtari shqiptaro-maqedonas, Sedat Berisha, ishte caktuar nga klubi kuqeblu të dilte dje në konferencën e shtypit të organizuar para ndeshjes me Flamurtarin. Mbrojtësi ka bërë daljen e parë publike që kur ai është bërë pjesë e kuqebluve në merkaton e janarit. Kështu, përveç se ka folur për ndeshjen e sotme me  Vllazninë, Berisha ka dhënë mendimin e tij për skuadrën ku bën pjesë, duke shprehur bindjen se Vllaznia do të qëndrojë në elitë. Mbrojtësi shtatlartë theksoi se skuadra duhet të shohë ndeshjet e saj dhe jo rivalët.

– Berisha, nesër (sot) përballja me Flamurtarin. Si është vlerësuar kjo ndeshje nga ana juaj?

– E vlerësojmë Flamurtarin, kemi respekt për lojën që bën, si dhe për pozicionin që ka në tabelë, por nesër (sot) shpresojmë për fitore.

– Ky është prononcimi i parë që kur keni nënshkruar për Vllazninë. Si ndjeheni me këtë skuadër?

– Po, kjo është intervista ime e parë për mediet e Shqipërisë. Në Shkodër gjendem si në shtëpinë time. Me kanë pritur shumë mirë drejtuesit e klubit, stafi teknik dhe lojtarët. Për këtë jam shumë i kënaqur.

– Çfarë ndryshimi vine re nga kampionati i maqedonas me këtë shqiptar?

– Kampionati i Maqedonisë është i një niveli më të ulët se i Shqipërisë. Mendoj se këtu është futbolli më interesant dhe më i mirë.

– Ka presion te Vllaznia përpara ndeshjes me Flamurtarin?

– Presioni bëhet nga ana e njerëzve, kurse ne në ekip nuk kemi. Jemi një ekip i shëndoshë, mendojmë që vetëm me punë të marrim rezultate pozitive.

– Mbrojtja është ndër repartet më të kritikuar te Vllaznia. Çfarë ndodhë në këtë repart?

– Në ndeshjet e para nuk e kemi njohur njëri-tjetrin mirë, por tash, duke filluar nga Lushnja, kemi avancuar pak më mirë. Në ndeshjen e Laçit ishte një faull kundër nesh dhe në tri ndeshje nuk kemi pësuar gol.

– Te Flamurtari gjeni trajnerin Duro dhe disa futbollistë, me të cilët keni luajtur te Shkëndija e Tetovës…

– Kam disa kolegë, që kam luajtur te Shkëndija, kurse me profesor Duron kam punuar 6 muaj. Kam respekt për të, por në fushë le të fitojë kush të jetë më i forti. Do të jap maksimumin, duke mos menduar për miqësinë.

– Sa ndikon rezultati i ndeshjes së Teutës në ndeshjen tuaj me Flamurtarin?

– Sa për Teutën, nuk na intereson aspak, na intereson vetëm Vllaznia. Na intereson Vllazninë, sepse duhet ta ngremë nga ky vend ku është. Nuk e meriton këtë pozicion. Besojmë 100% në fitoren tonë në ndeshjen me Flamurtarin. Në çdo ndeshje mendojmë vetëm për fitore.

– Me sa është parë, do të keni Pjeshkën në krah, në vend të Malotës të skualifikuar. Si e prisni këtë bashkëpunim?

– Besoj se kushdo që të futet në 11-shin e parë, do të japë maksimumin dhe do të luajë me shpirt në fushë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *