Minuta e 90-të e Lacio-Juventus: kur tabela elektronike tregoi 3 minuta shtesë dhe dy prej tyre ikën qetësisht, me rezultatin 0-0, në Napoli po ngrihej një dallgë entuziazmi, që u zbeh kur Paulo Dibala shënoi një gol fenomenal ndaj Strakoshës.
Ishte goli që i një fitore të madhe Juventusit, ndërsa pak orë më vonë Napolin e kapi depresioni dhe nuk e mbajti dot më presionin psikologjik.
Roma fitoi 4-2 brenda në Napoli, duke u ringjallur pikërisht kur nuk pritej, sepse pas humbjes së merituar ndaj Milanit ishte një skuadër e çoroditur dhe në prag kaosi.
Napoli e nisi me gol, Insinje ndezi festën që zgjati fare pak, sepse e shoi Ynder, një fenomen i ri në Serinë A.
Ritëm frenetik, Roma gjeti edhe golin e dytë me Xhekon dhe skuadrat shkuan në pushim me moral të kundërt. Napoli nuk ngriti më kokë, sepse Roma e masakroi në kundërsulm, duke shënuar sërish me Xhekon dhe Perotin, ndërsa Mertens në fund shënoi një gol që i vlen vetëm atij.
Kreu i kalon Juventusit nëse fiton ndeshjen e prapambetur me Atalantën, titulli nis të bëhet që tani mision i pamundur për Napolin, si gjithnjë këto vitet e fundit. Të bëhesh kampion nuk mjafton entuziazmi dhe klasi i disa lojtarëve, duhet vazhdimësi, durim dhe aspak eufori…