Nuk ka rënë kurrë nga Bundesliga: krenaria e Hamburgut duket se kaq e pati, ky sezon do të dekretojë rrënimin përfundimtar të një gjiganti që ka vite që është përtokë dhe shpëton vetëm me fat, ndeshje play-off ose në minutën e fundit të sezonit të rregullt.
Edhe sot Hamburgu nuk arriti të fitonte, duke u ndalur te barazimi 0-0 në shtëpi nga Mainci, që luajti me 10 lojtarë në 30 minutat e fundit të ndeshjes.
Hamburgu ka shënuar vetëm 18 gola këtë sezon dhe jo rastësisht është sulmi më mediokër në Bundesligë, sepse ka aq ekip të dobët dhe lojtarë qesharakë, saqë sot portieri Florian Myler i priti penallti mesfushorit serb Filip Kostiç. Sa për informacion, Myler është 20 vjeç dhe sot luajti për herë të parë në jetën e vet në Bundesligë.
Shtatë pikë larg zonës play-off, aty ku është pikërisht Mainci, flasin qartë për dështimin e Hamburgut, që tashmë mbijeton vetëm nëse ndodh ndonjë mrekulli.
Mërgim Mavraj ishte sërish në stol dhe është për të ardhur keq, sepse në janar pati oferta të rëndësishme nga Turqia. Një lajm i keq edhe për Shqipërinë, sepse qendërmbrojtësi na duhet në formë optimale, përndryshe është e vështirë që të japë më të mirën e vet dhe ndoshta Panuçi do t’i besojë rinisë, me emra si Ajeti, Gjimshiti e Veseli që janë duke luajtur rregullisht në Itali.