Sulmuesi i Luftëtarit, Vasil Shkurtaj, ka shkuar në kuotën e 4 golave në 6 ndeshje, një rendiment fantastik, po të mendosh që sulmuesit e tjerë të Superiores me zor shënojnë një gol në tre ndeshje, përveç Elis Bakajt, që në fakt ka shënuar 6 herë me penallti, në 12 gola. Sulmuesi vlonjat, i cili nuk e festoi golin në Vlorë, tashmë është i bindur se Luftëtari mund të kapë edhe Europën.
“Jam i kënaqur, kemi marrë një fitore të çmuar dhe goli më lumturon dyfish. Unë kam bërë detyrën, bëj sulmuesin kryesor, mundohem të krijoj hapësira, të jap pasime dhe të shënoj kur më jepet shansi. Kemi një grup të shkëlqyer, nuk ekzistojnë probleme e xhelozi kush shënon, të gjithë punojmë vetëm për fitoret. Sot ishim paksa të lodhur, sepse luajtëm të enjten e shkuar, por luajtëm një ndeshje shumë të mirë dhe ishte një fitore e merituar.
“Kemi ekip të mirë, do të tentojmë Europën, nuk ka arsye pse të mos e provojmë. Kampionati është shumë i ekuilibruar dhe i ashpër, por Luftëtari ka lojtarë të mirë dhe mund t’ia dalë. Besoj se 3-4 vendet e para do t’i arrijmë.
“E ardhmja? Nuk ka rëndësi nëse largohen Abazaj e Bregu, besoj se klubi ka aftësinë e duhur për të gjetur pasuesit, futbolli kështu e ka, disa largohen e disa i zëvendësojnë”.