Ish-trajneri i portierëve: Nuk ndihesha pjesë e projektit. Starova e do Partizanin, por nuk mund të them se ishte i duhuri për të marrë ekipin vjet”
Komenti në “Facebook” i ish-trajnerit të portierëve të Partizanit, Mario Kapeçe, se Partizani u shkatërrua nga disa “xhentëllmenë” që erdhën me fjalë të mëdha, u përhap me shpejtësi. Ish-tekniku i “demave” shigjetonte direkt italianët e ardhur me në krye Luçiano Moxhin dhe Drejtorin Sportiv Antonelo Preiti. “Sport Ekspres” kontaktoi me italianin në lidhje me domethënien e këtij komenti, por dhe për karrierën e tij në Rumani, pasi ai ka nënshkruar para pak ditësh me ekipin e CSU Krajovës në Ligën e Parë rumune. “Ndjehem mirë, kam 4 muaj kontratë, deri në fund të sezonit, më pas do të vendos për të ardhmen. Këtu është një ekip i ri dhe i organizuar, kanë projekte të mëdha. Jemi të tretët në renditje, pas Steauas dhe Kluzhit. Mendoj se mund të arrijmë objektivin”, – tregon ai fillimisht.
PARTIZANI – Kapeçe tregon dhe për Partizanin dhe faktin që ndjek çdo ndeshje. “E ndjek çdo ndeshje të Partizanit. Rezultatet nuk janë aty ku duhet, por skuadra po luan mirë, por fatkeqësisht pa sukses. Mendoj se deri në fund të sezonit kanë mundësi dhe do e arrijnë pjesëmarrjen në Europa League. Situata aktuale? Mendoj se me ndryshimet e bëra, drejtuesit donin të sillnin qetësinë, shpresoj ta gjejnë në vazhdim, pasi tifozët meritojnë të shohin një Partizan të madh. Jam me fat dhe i nderuar që punova aty”.
STAROVA – Kapeçe flet dhe për trajnerin Starova dhe punën e tij. “Starova është pjesë e familjes së Partizanin. Në momente të vështira gjithmonë ka qenë i gatshëm për të dhënë kontributin e tij për klubin. Ai s’ka refuzuar kurrë, pasi e do klubin. Vitin e kaluar na mori ne një hap larg titullit kampion. Nuk di të them nëse ishte personi i duhur në atë moment, por mund të them se e do shumë atë klub. Presidenti Demi e di këtë dhe mund t’i besojë çdo detyrë të mundshme në klub”.
KOMENTI I TIJ – “Ishte thjesht një koment në një fotot e mia të kujtimeve me Partizanin. Në dy sezone ne gjithmonë kemi kapur majat e kampionatit me lojtarë të mëdhenj dhe një skuadër të shkëlqyer të ndërtuar nga presidenti Demi, Dritan Dervishi dhe Starova. Në sezonin e fundit u bënë ndryshime te drejtuesit, por nuk u arritën rezultatet. Kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë bërë maksimumin. Unë e mora me vështirësi vendimin për t’u larguar, kryesisht për një situatë familjare, por nuk mora leje për një muaj, por u largova krejt, pasi nuk ndihesha pjesë e këtij projekti. Pas këtij komenti mora shumë mesazhe elegante në “whatsapp”, por gjithmonë dua të jem vetvetja dhe të them çfarë mendoj. E dua Partizanin dhe tifozët e tij aq shumë sa nuk mund të mos flas”, – përfundoi ai.