Për Kongresin e 42-të të UEFA-s, i pranishëm edhe kreu i federatës, bashkë me sekretarin Shulku dhe zv presidentin Libohova
Ka qenë një fillim jave i rëndësishëm për kreun e federatës shqiptare të futbollit, Armand Duka, që ka fituar pak kohë më parë edhe mandatin e pestë në institucion që drejton topin në vendin tonë. i shoqëruar nga zëvendës presidenti Edvin Libohova, por edhe Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, ai ka marrë pjesë në Kongresin e 42-të të UEFA-s në Bratislavë, Sllovaki.
Sakaq, interesant ka qenë edhe takimi mes presidentit të FIFA-s, Xhani Infantino (dikur sekretari i UEFA-s), Xhani Infantino, që së shpejti do të vizitojë Shqipërinë. Në fakt, sipas asaj që shkruhet në faqen zyrtare të federatës në uebsajt, “gjatë takimit të sotëm në Bratislavë me Presidentin e FSHF-së, Armand Duka përpara punimeve të Kongresit të UEFA-s, kreu i FIFA-s shprehu kënaqësinë e tij për të vizituar Shqipërinë në një kohë shumë të shpejtë.
Forcimi i partneritetit dhe vazhdimi i një bashkëpunimi të ngushtë me FIFA dhe UEFA kanë qenë në qendër të bisedës së sotme. Ndërkaq, pas mesazhit zyrtar, presidenti i FIFA përcolli urimet te presidenti Duka për rizgjedhjen, por edhe për një proces zgjedhor me standarte dhe të vlerësuar maksimalisht”, shkruhet në komunikatë. Kujtojmë që Duka është pjesë e Komisionit HatTrick në UEFA.
Sakaq, kurioz është fakti se Xhani Infatino nuk është një emër i panjohur për shqiptarët, pasi ai lidhet ngushtësisht edhe me ndodhitë e fundit. Infatino ka krijuar sistemin “Betting Fraud Detection System”, që lidhet me trukimet e ndeshjeve, nga ku lindi dënimi i ekipit të Skënderbeut.