Vllaznia me motivim dyfish, fitore për Gjokën në Gjirokastër

Kuqeblutë kërkojnë trepikëshin për t’i bërë dhuratë trajnerit të tyre, duke i dhënë mesazhin e mbështetjes që ka nga skuadra në tërësi

Gaspër Marku

Shtyrja një ditë e ndeshjes Luftëtari-Vllaznia, pas incidentit të ndodhur ditën e enjte, kur një person i paidentifikuar sulmoi trajnerin Ernest Gjoka, u ka dhënë mundësinë kuqebluve të qetësohen dhe të përgatiten më mirë për transfertën e sotme. Ndeshja që luhet sot në Gjirokastër konsiderohet shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat, ku shkodranët duan pikë për të siguruar mbijetesën.

DEDIKIMI – Seanca e fundit stërvitore u zhvillua dje në stadiumin “Reshit Rusi”. Skuadra ka qenë ende e prekur psikologjikisht nga ngjarja me trajnerin, por të gjithë janë përpjekur të bëjnë më të mirën e tyre. Futbollistët kuqeblu kanë shfaqur përkushtim maksimal për të qenë në nivelin e duhur sot në fushën e Luftëtarit. Ngjarja e fundit i ka bërë ata më të bashkuar me njëri-tjetrin dhe stafin teknik. Madje, siç deklaruan një pjesë e mirë e tyre për “Sport Ekspres”, e ndjejnë më tepër se kurrë si detyrim që sot të luajnë për trajnerin Gjoka. “Do të bëjmë të pamundurën me Luftëtarin, që  të marrim një rezultat pozitiv, mundësisht fitoren, që na shërben  për vazhdimësinë. Do të kërkojmë me ngul fitoren, që do të ishte edhe një dedikim për trajnerin Gjoka”, – thanë disa nga lojtarët e Vllaznsië.  

FORMACIONI S’NDRYSHON – Trajneri Gjoka e ka përqendruar dje punën te formacioni, që mendon të hedhë sot në fushë. Ai duket se do t’u besojë atyre që fituan ndeshjen përballë Teutës. Kështu, në portë do të jetë i riu Alen Sherri, ndërsa në repartin e prapavijës trajneri Gjoka do të rreshtojë Gocajn dhe Mersinin në krahë dhe dyshen Malota-Berisha në qendër. Krymi dhe Orelesi do të luajnë përpara mbrojtjes si mesfushorë shkatërrues, duke pasur përpara në krah kapitenin Lika djathtas dhe Çinarin majtas. Përpara tyre pritet të jetë mesfushori-sulmues Erion Vucaj, forma e të cilit është në rritje të dukshme, ndërsa në majë të sulmit, si zakonisht, është Xhevahir Sukaj. Ky i fundit, pas dygolëshit të shënuar në Lushnjë, kërkon një tjetër gol fitoreje në transfertën e sotme Gjirokastrës.

DËMTIMET – Formacioni është i plotësuar me lojtarët e dëshiruar nga trajneri Gjoka, por në fakt ka probleme me stolin, pasi janë disa lojtarë të dëmtuar. Me skuadrën nuk kanë udhëtuar Pjeshka, Bardulla dhe Marku, të cilët vazhdojnë të vuajnë dëmtimet. Megjithatë, në 18-shen anti-Luftëtari tekniku Gjoka ka në dispozicion lojtarët e duhur për të synuar rezultatin pozitiv.

Që mbrëmë në Gjirokastër, sërish premio për fitoren

Pas përfundimit të seancës së djeshme stërvitore, rreth orës 13:00, skuadra kuqeblu ka lënë Shkodrën, duke nisur udhëtimin me destinacion qytetin e Gjirokastrës. Nga sa mësohet, shkodranët e kanë kaluar mbrëmjen e djeshme në një nga hotelet e këtij qyteti. Burime brenda klubit kuqeblu bëjnë të ditur se tekniku Gjoka do të zhvillojë sot analizën para ndeshjes, ku pritet të deklarohet edhe formacioni. Për një motivim më shumë në marrjen e trepikëshit, nga drejtuesit e klubit kuqeblu kanë menduar për një premio ekstra për ekipin, por shifra nuk është bërë e ditur.

 

Formacioni i mundshëm i Vllaznisë, 4-2-3-1

Sherri – Gocaj, Malota, Berisha, Mersini – Krymi, Orelesi – Lika, Vucaj, Çinari – Sukaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *