Bregu tani është i qetë: Po e bëj mirë detyrën, goli jo prioritet

Vlonjati: Nuk ka pse të përbëjë shqetësim mungesa e golit, sepse nuk është vetëm goli cilësia e vetme e një futbollisti sulmues

Dejvi Bregu pati oferta të rëndësishme në janar, por vendosi të qëndrojë te Luftëtari deri në fillim të sezonit. Vlonjati nuk po e gjen rrugën e rrjetës prej katër ndeshjes, por bën thirrje për qetësi, pasi po i shërben gjithsesi skuadrës.

“Është e vërtetë se kam katër ndeshje pa shënuar, por kjo nuk do të thotë se nuk jam në formën sportive të mëparshme. Përkundrazi, kam shumë kontribute në arritjet e Luftëtarit, sidomos në ndeshjet e fundit. Nuk ka pse të përbëjë shqetësim, sepse nuk është vetëm goli cilësia e vetme e një futbollisti sulmues. Detyrë për të shënuar gol në një skuadër e kanë të gjithë futbollistët dhe mua kur më është paraqitur rasti kam shënuar dhe përsëri do të shënoj”, shprehet për “Sport Ekspres” futbollisti i Luftëtarit, Dejvi Bregu, që më tej flet edhe për mënyrën se si rivalët i shohin ata.

“Shumë faulle të fituara, penallti të paakorduara dhe ajo që ka më shumë rëndësi, shumë asiste për gola. Këto e tregojnë se e kam kryer mirë rolin e një lojtari sulmues në ekip. Në të gjitha rastet kur vihem në zotërim të topit mbrojtja kundërshtare më del përpara me shumë forca. Po kështu ndodh edhe me Abazajn, ndaj Luftëtari dallohet dhe përmendet si një ekip që ka sulmin më të mirë në Superiore. Ka patur momente që duhet t’i kisha administruar dhe zgjidhur ndryshe. Ndaj nesh, përfshi edhe mua, ekipet e tjera kanë tjetër mënyrë loje krahasuar me një sezon më parë. Tani e dinë se kanë përballë një skuadër që luan futboll dhe i marrin masat, madje e quajnë sukses kur na marrin barazimin në fushën tonë. Ne do të vazhdojmë të luajmë më mirë se deri tani dhe fitorja ndaj Vllaznisë do të na e bëjë më të lehtë arritjen e objektivit për t’u renditur në tre katër vendet e para”, thotë Bregu.

VLLAZNIA “Mendoj se do të jetë një ndeshje e luftuar dhe e bukur, pasi kemi ngjashmëri në mënyrën e të luajturit. Dihet që Vllaznia luan futboll të hapur. Ka futbollistë që shquhen për teknikë me topin, mbi të gjitha luajnë një futboll korrekt dhe kërkojnë të mos dalin pa pikë. Në situatën e tanishme ndjehen të rrezikuar për rënien, ndërsa fitorja jonë na bashkon me ekipet e tjera që pretendojnë pjesëmarrjen në kupat e Europës. Shtyrja një ditë e zhvillimit të ndeshjes nuk përbën asnjë shqetësim për ne ndaj edhe nuk pati asnjë reagim negativ”, përfundon Bregu.

Gëzim Beqiri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *