Laçi është gati të përballet me Luftëtarin dhe trajneri Gentian Mezani dje se bashku me ekipin ka kryer seancën e fundit stërvitore. Pas saj ai ka folur për “Sport Ekspres”, teksa shprehet se po e vlerësojnë maksimalisht Luftëtarin dhe se në shtëpi nuk u lejohet të gabojnë. “Jemi përgatitur të qetë këto ditë. Përballë kemi Luftëtarin, që do të jetë një ekip ndryshe nga ai i së mërkurës në Kupë. Në atë takim ata ruajtën shumicën e titullarëve, ndryshe nga ne që kemi konsumuar goxha energji. Duhet i njëjti vlerësim dhe përqendrim që patën në ndeshjen e parë të Kupës, që e fituam 3-0 në shtëpi. Kundërshtari është më i freskët, por për ne është në njëfarë mënyrë detyrim që në ndeshjet në shtëpi të mos gabojmë. Duhet të fitojmë këtë herë, pasi do të ishin tre pikë me mjaft vlera. Mungesat tona dihen, Rexhinaldo e Kallaku që janë të pezulluar. Do tentojmë të bëjmë më të mirën ndaj Luftëtarit, me synim arritjen e fitores. Shpresoj që t’ia dalim”, tha ditën e djeshme vlonjati i pankinës së Laçit, Gentian Mezani.
Në këtë takim dilema më e madhe e stafit teknik ka të bëjë me sulmin dhe ende nuk është vendosur. Më shumë mundësi një mes Xhixhës dhe Shtubinës do të luajë nga minuta e parë në sulm. Problematike ka qenë gjendja e Nikës gjatë javës së shkuar, pasi ka kaluar një gjendje gripale dhe ishte në dyshim për këtë ndeshje. Shkodrani është grumbulluar me skuadrën dhe mbetet për t’u parë nëse do të luajë nga minuta e parë, apo do të ketë minuta në varësi të rezultatit të ndeshjes. Titullar në këtë takim do të jetë braziliani Eskerda, që në mesjavë u la pushim, ndërkohë që edhe Qaqi pritet të rikthehet të luajë nga minuta e parë. Gjithsesi para takimit të sotëm pritet të shihet se si do të rreshtohet skuadra kurbinase.
Formacioni i mundshëm
Selmani – Fangaj, Qaqi, Gjoni, Sefgjini – Jonuzi, Bardhi, Eskerda – Nika, Uzuni – Shtubina