Ish-drejtori: Skënderbeu është viktimë e manipulimeve brenda vendit. Gjysmë falimentim nëse Partizani kap Europën, Kukësi bën detyrën nëse merr Kupën, parashikimi im del barazim
Jurgen Zela
Partizani dhe Kukësi do të matin forcat nesër, në një takim që i gjen shumë larg pritshmërive të dyja skuadrat. Dritan Dervishi ka dhënë kontributin e tij si për kampionët ashtu dhe për “demat”, por tani rikthehet në një intervistë për “Sport Ekspres” me statusin e një “ish”-i. Dervishi flet për përballjen e dy ish-skuadrave të tij, duke i analizuar të dyja ekipet që nga ndryshimet e deri te objektivat që mund të shpëtojnë sezonin. Sa i përket çështjes së Skënderbeut, ish-drejtori i Kukësit i qëndron krah korçarëve, duke i konsideruar juglindorët si viktima në këtë mes.
– Luhet Partizani-Kukësi, një sfidë për titull sezonin e shkuar, por që këtë edicion janë shumë larg pritshmërive. Si e shihni këtë takim?
Është një takim mes dy rivalëve për të shkuar në Europë. Besoj se do të jetë një ndeshje që do të ketë polemika.
– Kukësi me ndryshime sa i përket drejtuesve, ndërsa Partizani me një skuadër thuajse të re. CCfarë nuk shkoi te këto dy skuadra?
Te Kukësi nuk e prisja këtë ndryshim total pas fitimit të kampionatit. Për Partizanin s’kam çfarë të them, se nuk i kuptoj në strategjitë e tyre. Që të ndërtosh një ekip fitues duhet vazhdimësi dhe jo çdo vit largime, shkarkime, akuza ndaj atyre që punonin më përpara.
– Pritet frymë e re nga Pakult, ndërsa Dalipi në krahun tjetër ka shfaqur dëshirën që të punojë për më gjatë me “demat”. Mund të jetë një provë për të dy kjo ndeshje?
Të krahasosh këta dy trajnerë është jashtë çdo logjike. Pakult është trajner shumë i mirë dhe me CV të shkëlqyer. Në krahun tjetër Dalipi është një ndihmëstrajner i shumë trajnerëve. Mendoj se Dalipi e meriton vendin e trajnerit, pasi ka shumë merita në atë klub.
– Mund të jetë një sezon prove për të dy klubet, për t’u përgatitur për edicionin e ardhshëm?
Partizani e ka detyrë të fitojë për emrin, për historinë që përfaqëson. Provat kanë mbaruar, por tani ata kanë një staf të fortë që do t’i çojë drejt suksesit. Kukësi është kampion dhe duhet të kapë Europën, pastaj presidenti Gjici nuk dorëzohet kurrë.
– Për investimet që kanë bërë dhe mënyrën se si rrodhën gjërat duhet të kënaqet Kukësi me Kupën dhe Partizani vetëm me Kupat e Europës?
Po të kujtojmë deklaratat dhe investimet, për mendimin tim te Partizani arritja në Europë është gjysmë falimentimi. Dalja nga Kupa ishte goditje e rëndë. Kukësi po fitoi Kupën ka bërë detyrën dhe këtë vit.
– Keni një parashikim për ndeshjen mes tyre?
Barazim.
– Skënderbeu mund të dënohet nga UEFA. A do i prishte ekuilibrat në kampionat dhe do i fuste në rivalitet të gjitha skuadrat e tjera për vendin e dytë?
Shpresojmë mos të ndodhë. Do jetë një kampionat pa vlera më pas. Unë i jam pranë korçarëve, që janë viktimë e manipulimeve nga brenda Shqipërisë. U dënuan një herë, mendoj se mjafton. Unë shpresoj që Skënderbeu mos të dënohet.
– Sa do e “vriste” kampionatin shqiptar, nëse do të njollosej me një dënim aq të madh sa flitet? A do ulej besimi te Superiorja dhe a do kishte më transferime nga Shqipëria drejt kampionateve me cilësorë?
Do te jetë një goditje fatale për futbollin kombëtar. Asnjë nuk do përfitonte nga ky dënim. Vetëm ata që nuk duan futbollin dhe kombin do bënin festë për këtë dënim.