Flamurtari aktual, si në vitin e titullit kampion!

Paralelizmat duken të tepruara, por shifrat janë kokëforta. Flamurtari nuk ka qenë kurrë kaq lart në kampionat dhe njëkohësisht në gjysmëfinalet e kupës, që nga koha e titullit të vetëm kampion

Elton Nika

Në Vlorë jetojnë me nostalgji, e shkuara e artë e futbollit vlonjat shpesh bëhet edhe një pengesë për ekipet e krijuara vitet e fundit, pasi të gjithë e thonë, me zhgënjim: “Eh, ekip si Flamurtari i viteve ’80 nuk vjen më”. Epokë tjetër, futboll tjetër, luhej për pasion dhe nuk ekzistonin kontratat, transferimet e shumë gjëra të tjera që i ka futbolli modern. Megjithatë, për ata kokëfortët, që nuk i afrohen stadiumit sepse presin ende një ekip si ai i Kushtës, Rucit, Çipit, Ferkos, Gjondedës e shumë yjeve të tjerë vlonjatë, ka një të dhënë të veçantë, që tregon se ekipi aktual, ai i Shpëtim Duros, po ecën në gjurmët e Flamurtarit të madh të viteve ’80. Duke bërë një hulumtim ndër vite, zbulohet se Flamurtari aktual është më i miri i thuajse tre dekadave të fundit, të paktën me statistika. Ka vetëm një përjashtim: sezoni 1996/1997, por ai sezon u ndal në janar, në mesin e rrugës, dhe nuk përfundoi kurrë në rrugën natyrore, sepse më pas u luajtën ndeshje me sistem grumbullimi dhe Flamurtari u mund në ndeshjen finale, sfidë e mbushur me polemika për një penallti të padhënë në fundin e takimit ndaj Tiranës. Megjithatë, kjo është një histori tjetër…

VENDI I DYTË DHE ECURIA NË KUPË – Jemi në mesin e muajit shkurt dhe tashmë Flamurtari nuk mund të fshihet më: kupa është synim madhor, vendi i dytë është objektivi minimal. Skuadër shumë solide, lojtarë cilësorë, grup fantastik dhe trajner shumë i zoti, që në verë ringriti një skuadër të rrënuar, që me zor mbijetoi në Superiore sezonin e shkuar, edhe për shkak se iu hoqën 6 pikë nga FSHF-ja për borxhe të vjetra. Ne ndërrimin e viteve në Vlorë e shihnin paksa me frikë kalendarin: tre ndeshje rresht me Partizanin mes kampionatit e kupës, përballje me Skënderbeun e Kukësin, kalendar ferri, me pak fjalë, me disa ndeshje që u luajtën çdo tre ditë. Realisht, kuqezinjtë e kaluan klasën me nota të shkëlqyera, duke nisur nga përballjet me Partizanin, e deri te fitorja e munguar në Kukës, ku u thye më në fund tabuja (Flamurtari kishte vetëm humbje deri sivjet). Humbja në Korçë? Për nga mënyra si erdhi, ishte dramatike, pasi barazimi dukej një çështje e mbyllur, në një ndeshje ku Skënderbeu e goditi portën vlonjate vetëm në rastin e golit (asnjë gjuajtje tjetër në kuadrat në 90 minuta, rekord negativ ndoshta për Skënderbeun e viteve të fundit).

PRECEDENTI, 27 VITE MË PARË – Duke lënë mënjanë vitin e zi 1997, kur në fakt Flamurtari kishte një skuadër ëndrrash, që me shumë gjasa do ta fitonte titullin nëse gjithçka nuk do të ndalet nga lufta civile që përfshiu Shqipërinë, vetëm Flamurtari i sezonit 1990/1991 ka pasur një ecuri si tani, apo më mirë se tani. Ishte viti i titullit të vetëm të Flamurtarit, sezon fantastik, me vlonjatët që dolën kampionë me 54 pikë në 39 ndeshje (sistemi me 2 pikë për fitore), me 24 fitore, 6 barazime e 9 humbje. Atëherë Flamurtari linte pas pikërisht Partizanin, ndërkohë që në gjysmëfinale kualifikohej duke eliminuar Tiranën, 2-0 fitore në Vloeë dhe 1-0 humbja në Tiranë. Më pas Flamurtari eliminonte edhe Dinamon dhe ndalej vetëm në finale, ku u mund nga Partizani me 11-metërsha (1-1 në Qemal Stafa, 4-3 për Partizanin me penallti). Në Vlorë i mbajnë mend mirë protagonistët: nga Arapi e Birçe, te Çipi, Iljadhi, Dëma, Memushi e shumë të tjerë, deri te yjet e sulmit Kushta e Ruci, ndërsa në stol ishte Edmond Liçaj. Thuajse i njëjti grup lojtarësh, por me Leonidha Çurin në stol, në sezonin 1987/88 renditej i dyti në muajin shkurt dhe ishte në gjysmëfinalet e Kupës. Edhe atë sezon Flamurtari nuk e fitoi dot titullin, por në finalen e Kupës mundi 1-0 Partizanin, në Loro Boriçi të Shkodrës. Epokë e artë, por ngjashmëritë me sezonin aktual janë të shumta. Flamurtari sërish i dyti, sërish në gjysmëfinale dhe mbi të gjitha ka eliminuar Partizanin!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *