Elbasanasi e ka drejtuar ekipin në ndeshjen e fundit, pas dënimit të Starovës. Me një status në faceboook ai e shpreh qartë ambicjen për stolin e kuq
Partizani mbylli llogaritë me Kupën e Shqipërisë të mërkurën. Fitorja 2-1 ndaj Flamurtarit nuk mjaftoi për të kaluar në gjysmëfinale dhe tani të gjithë e “bateritë” e të kuqve do të shkarkohen në kampionat. Drejtuesit e klubit të kuq kishin planifikuar një mbledhje dje, me qëllim që ekipi të ndërgjegjësohet për atë që duhet të bëjë në vazhdim të kampionatit, ku duhet të ngjitet me çdo kusht në zonën europiane.
KLEVIS DALIPI – Në këto javë të fundit Partizani është drejtuar nga zëvendëstrajneri Klevis Dalipi, pasi trajneri Sulejman Starova është pezulluar me 8 ndeshje nga Komisioni i Disiplinës në FSHF për veprimet e tij në ndeshjen me Flamurtarin. Dhe dje ka tërhequr vëmendjen një status i numrit 2 të stolit të kuq, i cili linte të nënkuptohet se mund të jetë ai trajneri i ardhshëm i të kuqve. Dalipi shkruan: “Dikur e kam pasur ëndërr ta vesh si futbollist, tani jam shumë pranë ta realizoj si trajner”. Fjalia në fakt nuk është shumë e qartë, por nënkupton në një farë mënyre se është shumë pranë të qenit ai trajner i parë i Partizanit. Ndoshta Klevis Dalipi ka marrë ndonjë sinjal nga drejtuesit e klubit të kuq për të zëvendësuar Starovën në stolin e kuq jo vetëm për kohën që “Bobi” do të jetë i pezulluar, por edhe më tej. Ose kjo është një ambicie e Dalipit dhe që nuk ka pse të fshehë, por fakti që përmend togfjalëshin “jam shumë pranë ta realizoj si trajner”, do të thotë se kandidatura e tij është reale. Mbetet për t’u parë ditët në vazhdim se çfarë do të ndodhë, por e sigurt është se Klevis Dalipi do të vazhdojë ta drejtojë Partizanin edhe për disa ndeshje,
Kujtojmë që Partizani e nisi këtë sezon me italianin Mark Iuliano në stol, por aventura e tij nuk zgjati shumë. Dështimi i Iulianos ishte total dhe detyrimisht erdhi largimi i tij, ndërsa në stol u ul, si gjithmonë, Sulejman Starova. “Bobi” madje dha edhe dorëheqjen kohë më parë, por presidenti Demi vendosi që ai të vazhdonte ta drejtonte Partizanin. Kohët e fundit Starova ka polemizuar me arbitrat ashpër dhe për atë që bëri në Vlorë u dënua rëndë nga Disiplina. Nuk është aspak çudi që ai të zëvendësohet nga Klevis Dalipi të paktën deri në fund të këtij kampionati.