Pas takimit të djeshëm të drejtuesve me skuadrën është vendosur që trajneri shkodran të vazhdojë punën. Dyshimet për ndërhyrjen e kuqebluve, vetëm hipoteza
Arjan Likja
Konfirmohet Hysen Dedja! Pas dorëheqjes së kërkuar nga shkodrani një ditë më parë, kryebashkiaku dhe presidenti i Lushnjës, Fatos Tushe, së bashku me trajnerin Hysen Dedja, kanë zhvilluar dje një takim me të gjithë futbollistët. “Është një takim pune dhe u kërkoj përfaqësuesve të medies të largohen”, ka thënë kryebashkiaku Tushe. Pas largimit të gazetarëve është zhvilluar mbledhja 30-minutëshe, ku tonet kanë qenë të ashpra.
Konfirmohet Dedja – Në përfundim të saj, kryebashkiaku Tushe nuk është prononcuar, ndërsa para mikrofonave ka dalë trajneri Hysen Dedja, i cili është shprehur: “Ishte një takim i paralajmëruar, që dje, me skuadrën. Pas takimit që pata me kryebashkiakun, ai më dha edhe një herë besimin të vazhdoja punën, pasi i kisha kërkuar largimin. Arsyet e kërkesës për largim ishin se ndoshta jemi shkëputur me një përqindje të madhe tashmë nga objektivi. Por unë përsëri nuk heq dorë. Kryetari i Bashkisë u kërkoi futbollistëve të kenë impenjim maksimal në çdo takim. Pavarësisht se jemi shkëputur shumë nga skuadrat e tjera, ai ka dhënë garancinë financiare. Skuadra do të luftojë deri në fund, që futbollin e Lushnjës dhe sportdashësit t’i respektojmë sa më shumë. Nuk duhet të ketë ndërhyrje nga klube të tjera. Po pamë që në skuadër na ndërhyn dikush në rrugë të pandershme, ai lojtar nuk ka vend më te Lushnja dhe tek asnjë ekip në Shqipëri”, – tha trajneri Dedja.
Vllaznia e pazaret – I pyetur drejtpërdrejt, nëse u diskutua në mbledhje për shitje të ndeshjes me Vllazninë, trajneri Dedja u përgjigj: “Jo, nuk bëhet fjalë për këtë gjë. Ka qenë një presion nga jashtë. Mendohet se ka dashur Vllaznia të ndërhyjë në rrugë të tjera. Nuk kemi asnjë provë se mund të ketë ndodhur kjo punë. Kemi pasur lojtarë mangët dhe trysnia që na bëjnë ndikon, siç ka ndodhur në ndeshjen me Partizanin në Lushnjë. Edhe me Vllazninë ka pasur trysni. Ka pasur diskutime, kush po merr, kush po bën. Këto gjëra nuk duhet të jenë në skuadër. Nuk do të ketë largim lojtarësh”. Duke mbyllur kështu një tjetër konferencë për shtyp në lidhje me situatën e krijuar në ekip pas humbjes me Vllazninë.