Në 7 ndeshje me rivalët direkt për titull, skuadra e Dajës ka fituar 5 herë dhe ka barazuar 2 herë. Kjo i ka mundësuar shkëputjen në krye
Leonard Trebicka
Korçarët, pas javës së 19-të, e kanë shtuar më shumë diferencën e pikëve me ndjekësit. Tani nuk janë 9 pikë para vendit të dytë, sa ishte diferenca në fund të vitit 2017, por plot 11 pikë, duke prerë kështu edhe shpresat e rivalëve për titullin. Kjo është diferenca e pikëve me Flamurtarin, ndërsa me Kukësin dhe Partizanin, që ishin cilësuar si rivalët kryesorë në luftën për titullin kampion, është më e madhe, 14 pikë.
NDESHJET DIREKTE – Po cili është sekreti i këtij suksesi të deritanishëm dhe i shkëputjes me kaq shumë pikë në krye të Superligës? Skënderbeu në këtë sezon nuk është mposhtur asnjëherë nga rivalët e tij. Në 7 ndeshje me ta në këto 19 javë të kampionatit, pra ndaj Flamurtarit, Kukësit dhe Partizanit, korçarët kanë grumbulluar 17 pikë nga 21 të mundshme. Madje, në fazën e parë të tre rivalët Skënderbeu i ka mundur. Kukësin brenda në fushën e tij, në stadiumin ”Zeqir Ymeri”. Kurse në fazën e dytë, në dy transferta ka shënuar dy barazime me Flamurtarin dhe Partizanin, si dhe ka mundur Kukësin në Korçë. Faza e tretë ka nisur direkt me fitoren ndaj Flamurtarit të vendit të dytë dhe këto rezultate kanë bërë që Skënderbeu të jetë sot i shkëputur dhe i qetë në rrugën drejt titullit kampion.
Kështu, “sekreti” më i madh i këtij suksesi janë rezultatet pozitive që ka arritur në përballjet direkte me rivalët. Ky është ndryshimi i madh i Skënderbeut të këtij sezoni me atë të sezonit të kaluar, kur korçarët humbën shumë pikë në ndeshjet direkte me rivalët. Thuhet rëndom se “titulli fitohet duke mundur të voglat”, por kuptohet që sfidat me skuadrat pretendente kanë një rëndësi të veçantë. Deri tani Skënderbeu i ka bërë mirë detyrat në ndeshjet me rivalët e titullit dhe të vetmet humbje që ka pësuar, i ka me Laçin dhe Luftëtarin në transfertë.
STADIUMI SKËNDERBEU VLEN TITULLIN – Kur ka kaluar gjysma e sezonit, kuptohet qartë edhe nga një detaj tjetër pse Skënderbeu është në krye dhe i shkëputur: stadiumi Skënderbeu është një fortesë, ku vetëm Kamza ka marrë një pikë, ndërsa në 9 ndeshje të tjera Skënderbeu ka vetëm fitore. Nëse Flamurtari është aq larg, vjen e gjitha sepse në Vlorë ka fituar vetëm 4 nga 9 ndeshjet e luajtura këtë sezon, çmenduri.
Rekordi negativ i përket Kukësit: 3 fitore në 10 ndeshje në Kukës, e pabesueshme! Distanca me Skënderbeun për ndeshjet shtëpiake është 17 pikë, nëse Kukësi do të ishte ai i sezonit të shkuar në “Zeqir Ymeri”, do të ishte kokë më kokë me Skënderbeun.
Përballjet me rivalët
Faza e parë
Skënderbeu-Flamurtari 2-0
Skënderbeu-Partizani 2-0
Kukësi-Skënderbeu 1-2
Faza e dytë
Flamurtari-Skënderbeu 1-1
Partizani-Skënderbeu 0-0
Skënderbeu-Kukësi 2-1
Faza e tretë
Skënderbeu-Flamurtari 1-0