Poshtë Superiores, një shëmti e frikshme

Numri i madh i ekipeve prodhon nivel mediokër dhe mungesë gare për kreun. Emocione ka vetëm në fund, ndërsa disa ekipe bëjnë çorap kalendarin, me bekimin e FSHF-së

Kategoria Superiore, përtej problemeve me gjyqtarët herë pas here, është e shkëlqyer në krahasim me rajonin, nuk jemi inferiorë ndaj askujt. Kombëtarja është një krenari e madhe për FSHF-në dhe Armand Dukën, që e ka ngritur në piedestal në çdo drejtim. A mjafton kaq për të thënë që gjithçka shkëlqen? Absolutisht jo! Nga Kategoria e Parë e poshtë gjithçka është një cirk gjigant, me ndeshje të trukuara, marrëveshje të pista, kalendar i bërë e i zhbërë sipas qejfit, dënime e falje sipas dëshirës, motit dhe momentit, shihni Këlcyrën!

STRUKTURË QESHARAKE – Ndarja në dy grupe me nga 10 skuadra nuk sjell asnjë risi, për sa kohë vetëm një skuadër shkon në Superiore dhe mjafton që Tirana e Kastrioti, për shembull, të ndërtojnë super skuadra, dhe gjithçka merr fund pas tyre, luhet vetëm për të mos zbritur vendin e pestë. Pas 18 ndeshjesh, kampionati rinis me pikë të përgjysmuara, sërish një absurditet, pasi skuadra që kanë bërë 18 javë perfekte, krejt papritur e shohin veten shumë pranë ndjekësve.

VARFËRI DHE KLUBE AMATORË – Nuk po zbresim në Kategorinë e Dytë, se na vjen turp, por Kategoria e Parë ka plot raste ku klubet janë në kufijtë e amatorizmit. Skuadra që prishen e rindërtohen çdo 5 muaj, pagat që jepen gjysma-gjysma, kontratat që nuk i respekton askush dhe lojtarë që nuk i mbron askush. Shënkolli ka luajtur pa portier rezervë në dy ndeshjet e para të këtij viti, në Kuçovë kishte shkuar vetëm me 3 rezerva e pa portier para një jave. Futboll mesjete!

DHUNA SHPËRBLEHET – Këlcyra është rasti i duhur për të kuptuar se çfarë ndodh pas fasadës Superiore. Në Përmet lojtarët e Këlcyrës, 3 apo 5 nuk ka rëndësi, gati e vranë arbitrin, nuk dihet përse. E përjashtuan nga kampionati, ashtu si do veprohej në gjithë botën e qytetëruar, por para zgjedhjeve në FSHF e morën vesh të gjithë që Këlcyra do falej, edhe vetë Këlcyra mburrej që u kthye në kampionat, me statuse në Facebook. Asgjë kundër Këlcyrës, por nëse dhunën e kryen lojtarët, duhej të paguante klubi dhe nuk ka logjikë që Apeli (çfarë dreq organi është ky?) të dënonte vetëm fushën nga 12 a 6 ndeshje (sepse dënimet përgjysmohen sipas qejfit, me pak monedha). Na marrtë lumi të gjithëve!

KALENDARI SIPAS QEJFIT – Ka edhe 3-4 javë nga fundi i fazës së dytë, që mbyll kampionatin para fazës play-off, por Shënkolli-Bylis ndoshta do luhet nga viti 2025, mundësisht nga e hëna deri të premten, se ashtu është një muhabet! Kur të dojë Bylisi, me pak fjalë. Dy ndeshje do luhen të hënën, sërish Bylisi është aty, ndërsa krejt papritur doli moda e re: sëmuren lojtarët, nuk kemi ç’bëjmë. Ndërkohë, Vllaznia B kërkoi të luante një ditë pas Vllaznisë A, por FSHF nuk e dëgjoi. Po ku marrin vesh shkodranët! Shkoni ore, nxirrni 10 raporte mjekësore me 500 lek të reja në total dhe u kry, të gjithë të sëmurë, luajmë në prill!

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *