Zëvendëstrajneri i Partizanit, Klevis Dalipi, ka mbetur i kënaqur nga fitorja kundër Kamzës, duke vlerësuar faktin që skuadra po nis të shënojë, edhe pse rastet për gol ishin të shumta në pjesën e dytë.
“Shënuam dy gola të shpejtë, më në fund finalizuam, ndryshe nga ndeshjet e shkuara, por sërish humbëm raste, me Asanin e Bardhin. Na vendosi në vështirësi dëmtimi i Telushit, por edhe ata që luajtën e bënë mirë detyrën, duke marrë një fitore të merituar, por edhe të vështirë.
“Fitore më bindëse? Nuk mund të përsëris atë që thashë. Nëse shkonim në 3-1, do flisnim ndryshe. Ishte një ndeshje e vështirë, por patëm shumë shanse për të shënuar në kundërsulm dhe nuk e bëmë. Nëse shënonim, gjithçka bëhej e lehtë.
“Lukas? Nuk është ende në 100%, por me atë që dha sot, na jep shpresë për të ardhmen. Ishte mjaft i rëndësishëm në fazën sulmuese dhe dha edhe pasim për golin e dytë.
“Golat e pësuar? Kishim marrë masa që të mbroheshim mirë, por Plaku depërtoi mirë dhe shënoi një gol të bukur. Golat mund të pësohen, rëndësi ka që të shënosh kur ke mundësitë.
“Çani? Është në përmirësim e sipër, nuk ka shfaqur shenja të mëparshme të dëmtimit dhe në ditët në vazhdim do të marrë ngarkesën e plotë, për të zbritur në fushë sa më parë”.