Apolonia “poker” golash Naftëtarit, shënojnë të gjithë

Mikel Mbriçaj

Apolonia ka eliminuar pa kushte Naftëtarin. Fierakët kanë kontrolluar lojën në çdo moment të saj. Ata kanë marrë fitoren, duke shënuar nga dy gola në çdo pjesë loje. Futbollistët e rinj fierakë kanë shpërthyer ndaj Naftëtarit, duke treguar vlerat e tyre në rritje dhe tashmë Apolonuia është në vendin e të katërt të renditjes. Ndeshja ka filluar e bukur dhe me gol, që në tunel. Merita për këtë, i takon Apolonisë. Në minutën e tretë, Llambro pason te Mihana, që brenda zonës, i vëmendshëm gjuan me qetësi dhe saktësi, duke dërguar topin në rrjetë, e duke shënuar golin e avantazhit për Apoloninë. E ndërsa pritej një reagim i Naftëtarit për të barazuar rezultatin, Apolonia nuk i lë hapësira e vazhdon të sulmojë, duke kërkuar të shënojë gola të tjerë. Megjithatë në minutën e 13-të, Hysenshahaj, pasi merr një top shpalos aftësitë e tij teknike, duke gjuajtur me qetësi, e duke shënuar golin e dytë për ekipin e tij. Ky gol i jep më shumë qetësi lojës së fierakëve, që vazhdojnë të luajnë me rritëm të lartë, deri në fund të pjesës së parë.

Fraksioni i dytë i lojës është më i mirë për Naftëtarin, që hidhet tërësisht në sulm, por pa mundur të shënojë e të ulë diferencën e golave, për shkak se mbrojtja vendase dhe portieri Çako kryejnë më së miri detyrat e tyre. Dhe atë që s’e bëjnë miqtë nga Kuçova, e realizojnë vendasit. Në minutën e 68-të, Mihana pason tek Llambro, që pasi driblon një mbrojtës gjuan dhe shënon golin e tretë për ekipin e tij. Në minutën e 77-të, kapiteni Dimo fut një top në zonë. Aty 17-vjeçari Gjata devijon topin dhe e dërgon në rrjetë, duke shënuar golin e katërt që siguron fitoren përfundimtare të Apolonisë 4–0.

Kashami: Tani mendojmë për Shkumbinin

Ndriçim Kashami, trajneri i Apolonisë, pas takimit me Naftëtarin ishte shumë më i qetë. Vetë rezultati e ka kënaqur kavajasin. “Jam i kënaqur nga loja dhe fitorja e arritur nga skuadra ime. Të gjithë futbollistët kryen si duhet detyrat e tyre. Luajtën fort, e mirë dhe për asnjë moment s’e vunë në dyshim fitoren. Më pëlqeu, që lojtarët e rinj të skuadrës time shpërthyen dhe shënuan ndaj një kundërshtari të vështirë që kishte ardhur për të marrë pikë në Fier. Nuk kemi kohë t’i gëzohemi fitores, pasi na duhet të mendojmë dhe t’i kthehemi punës për përgatitjen e ndeshjes së radhës, që do ta luajmë në transfertë me Shkumbinin”, mbylli Kashami .

Fraholli: Humbje që duhet harruar

Brajan Fraholli, trajner i Naftëtarit ndihet i dorëzuar. Pranon se skuadra e tij kaq ka mundësi të bëjë në fushën e lojës. “Eshtë e vërtet, që erdhëm në Fier për të mos dalë pa pikë, por hasëm me një ekip të fortë që ishte i mobilizuar dhe që kërkonte fitoren me çdo kusht. Pësimi i golit të parë në minutën e tretë i rrëzoi psikologjikisht futbollistët tanë, që pas pësimit të golit të dytë u shthurën nga ana taktike. Me fillimin e pjesës së dytë u munduam të ndryshonim diçka në lojën tonë, por pa ia arritur qëllimit që të shënonim gol. Ishte një humbje që duhet harruar. Na duhet të punojmë shumë për të përgatitur sa më mirë ndeshjen e radhës”, u shpreh trajneri i Naftëtari, Fraholli.

APOLONIA – NAFTËTARI    4-0

Shënues: Mihana 3′, Hysenshahaj 13′, Llambro 68′, Gjata 78′

APOLONIA: Çako, Braka, Kuçi, Duda, Velo, Broshka, Hysenshahaj, Mehmeti (Troka 62′), Dimo, Mihana (Sota 69′), Llambro (Gjata 74′). Në dispozicion: Hasfatija, Velaj, Lamaj, Kondaj. Trajner: Ndriçim Kashami

NAFTËTARI: Qyrani, K. Pepa, Haxhiu, E.Kajo, Myrta, Hadaj (Gjoka 46′), Marini (A.Gega 64′), Koroveshi, Behari, A. Pepa (Jaupi 69′), Gjonpalaj. Në dispozicion: Sinari, Hoxha, D.Zhuka. Trajner: Brajan Fraholli.

GJYQTARË: E. Durmishi, R. Dobruna, Xh. Mani, A. Stolaj (Tiranë).

KARTONË TË VERDHË: Kuçi 27′, Mehmeti 30′, Marini 43′, Broshka 67′

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *