Avokati i Shqipërisë, Skënder Fani: Kujdes, politika e përdor futbollin!

Personalitet i njohur i botës së ligjeve, i lidhur ngushtë me futbollin, Fani flet për Dukën, Finon, zgjedhjet në FSHF dhe heq një paralele me sportin në Austri

Kur në vitin 2015 Shqipëria merrte tre pikët në tavolinë ndaj Serbisë, me një betejë të gjatë ligjore që përfundoi në CAS, në mbrojtje të Shqipërisë ishte një avokat mjaft i njohur në Austri, shqiptari Skënder Fani, i cili arriti të ndërtonte një strategji perfekte mbrojtëse në betejën me UEFA-n dhe Serbinë. Ishte hera e parë që Fani bashkëpunonte me FSHF-në, ndërsa më pas bashkëpunoi dhe fitoi edhe një gjyq të Ervin Bulkut kundër Dnipropetrovskit. Avokati i njohur vjenez ka lidhje të forta me futbollin, sepse ka asistuar futbollistë të mëdhenj gjatë transferimeve të tyre në kampionate të rëndësishëm të Europës, si Prohaska, Polster e shumë të tjerë, ndërkohë që ka punuar edhe në disa klube. Tani Fani është mënjanuar, nuk merret më në mënyrë konstante me futbollin dhe nuk mbulon interesat e ndonjë futbollisti, edhe për faktin se “në kampionatin austriak nuk ka më yje”. Avokatin Fanin e kemi intervistuar për ta pyetur në lidhje me zhvillimet e fundit në futbollin shqiptar, pasi procesi zgjedhor është mbingarkuar me tension dhe politikë, në një kohë që shumë vende, përfshirë Austrinë, nuk i konceptojnë dot ndërthurje të tilla politikë-sport.

-Zoti Fani, nuk është se keni shumë lidhje me futbollin shqiptar brenda kufijve, por keni punuar me Federatën Shqiptare të Futbollit për betejën kundër UEFA-s në KAS.

– Po, kam qenë i përfshirë në disa çështje në emër të Federatës Shqiptarë. Më kontaktuan edhe kur kishin një problem në lidhje me ndeshjen me Serbinë, që u ndërpre dhe Shqipëria kërkonte fitoren në tavolinë, për futje të tifozëve në fushë.

– Çfarë marrëdhënie keni me zotin Armando Duka?

– Njihem me të, kemi bashkëpunuar disa herë dhe kam shumë respekt për të, sepse e kam parë si vepron dhe komunikon me FIFA-n, marrëdhëniet e tij me presidentët e tjerë të federatave nëpër Europë dhe kam vënë re se është një person shumë i respektuar në arenën ndërkombëtare.

– Është kohë zgjedhjesh në Federatën Shqiptare, keni informacion?

– Po, kam vënë re që janë disa kandidatë, diçka normale në demokraci. Kam dëgjuar që edhe një politikan është përfshirë dhe në lidhje më këtë kam idetë e mia pse ndodh. Një gjë e tillë ndodh shpesh në vende të caktuara, por politika duhet të qëndrojë te politika dhe futbolli duhet të merret vetëm me futbollin. Duka është një ekspert, që e ka treguar vlerën e vet në kaq vite që drejton. Shqipëria po luan në nivele mjaft të larta dhe është kthyer në një vend mjaft të respektuar në Europë, falë pjesëmarrjes së Shqipërisë në Europian dhe forcimit të kombëtares dhe institucionit të FSHF-së. Mendoj se Duka ka bërë një punë shumë të mirë dhe do ishte mëkat nëse nuk vazhdon, sepse çdo njeri gjykohet nga sukseset që arrin dhe Duka ka marrë vendime shumë të mira prë futbollin shqiptar në të shkuarën.

– A mund të krahasohet Shqipëria me Austrinë, a ndodhin gjëra të tilla aty?

– Mund të heqim një paralele, po. Politika ka një ndikim të madh edhe këtu, por në sporte të tjera, sepse në futboll nuk kemi politikanë në drejtim. Mendoj se përfshirja e politikanëve në sport nuk bëhet për ta ndihmuar atë, por për të ndihmuar karrierën e vet politike. Mendoj se sporti ka nevojë për ekspertë, ndërsa politikanët nuk duhet të përfshihen, është një përzierje shumë e rrezikshme ajo e politikës me sportin dhe shpesh gjithçka transformohet, futen në lojë interesa të tjera.

– A përbën një problem fakti që një politikan përfshihet në garën zgjedhore dhe shumë bashki votojnë në zgjedhje, ku marrin pjesë gjithë klubet deri në kategoritë më të ulëta?

– Është një strukturë e gabuar e futbollit shqiptar dhe mendoj se nuk është korrekte. Klubet duhen privatizuar, nuk e di pse në Shqipëri vazhdohet me bashkitë, nuk kam informacion. Në Austri futbolli është thuajse tërësisht privat, me përjashtim të ndonjë rasti kur ish-politikanë përfshihen në klubet e futbollit, për pasion apo për biznes, pasi kane ende lidhje të fuqishme me biznesin, etj. Sistemi në Shqipëri është ndryshe, fakti që votojnë gjithë klubet krijon probleme e debate, pasi dihet që vota e klubit më të fuqishëm financiarisht në Superiore nuk vlen sa ajo e një klubi pa asnjë organizim në kategorinë e tretë, le të themi. Gjithsesi, çdo vend zgjedh mënyrën e vet.

– Nuk kontribuon shteti apo pushteti lokal te futbolli?

– Shteti nuk ka ndonjë ndikim te klubet e futbollit, edhe bashkitë nuk kanë fuqi vendimmarrëse, edhe pse mund të jenë pjesëmarrëse në pronësinë e klubit, por pa fuqi vendimmarrëse. Mund t’ju jap një shembull interesant se si futbolli funksion në vendet gjermanike: Bajerni i Mynihut është klubi më i madh në këto vende. Kur filloi ngritja e klubit në nivele të larta, figurat qendrore të klubit u bënë ish-futbollistë të mëdhenj dhe tradita vijon të ruhet, Bekenbauern, Rumenige, Hënes e të tjerë e menaxhojnë klubin. Shteti gjerman dhe qeveria lokale në Bavari nuk u përfshinë asnjëherë, por lanë gjithçka në dorë të ekspertëve, që e ngritën këtë klub të vogël në majat e botës. Politikanët qëndruan gjithnjë në prapaskenë, nuk deshën asnjëherë të dilnin në radhë të parë dhe të ekspozoheshin, duke u lënë çdo vendim emrave të mëdhenj të klubit dhe rezultatet nuk kanë nevojë për koment.

– Një pyetje e fundit: e dini që një emër i njohur në Austri, Peter Pakult, ka ardhur te Kukësi?

– Natyrisht që e di, e njoh mirë Pakultin. Fakti që ai vjen në Shqipëri flet shumë, para një apo dy dekadash asnjë trajner me emër nuk do të pranonte të vinte të punonte në Shqipëri. Të jemi realistë, Shqipëria ka qenë zero në futboll pas viteve ’90, ka pasur një nam të keq në çdo drejtim, jo thjesht futboll, por vitet e fundit po ndryshon gjithçka, shihni Pakultin, shihni trajnerët e kombëtaret dhe trajnerë të tjerë me emër që po vijnë të punojnë në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online