Flamurtari ka mbyllur sot fazën përgatitore dhe do të kthehet në Shqipëri. Ekipi i drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro ka luajtur edhe miqësoren e fundit përballë skuadrës polake të Pogonit, sfidë e humbur 2-1.
Trajneri Shpëtim Duro provoi formacionin titullar dhe ndeshja ishte mjaft e ekuilibruar, pa shumë raste për shënim. Në pjesën e dytë Flamurtari e nisi më mirë, duke ushtruar presion të madh, por asnjë gol. Gjithçka ndryshoi në fundin e takimit, kur të dyja palët kishin bërë shumë ndërrime.
Flamurtari fitoi një 11-metërsh në minutën e 82-të, që e transformoi në gol braziliani Zhufo, por në minutat 85 e 87 erdhën dy gola për Pogonin. Fillimisht Drigas barazoi me një gjuajtje të saktë me kokë, ndërsa dy minuta më vonë, sërish pas një krosi në zonë, Dvali shënoi golin e fitores polake.
Një humbje zhgënjyese duke parë si shkoi ndeshja, por gjithsesi ishte një miqësore dhe tashmë vëmendja është te kampionati, sepse të premten Flamurtari do të presë Partizanin.
Pogon (Poloni) – Flamurtari F.C 2-1
Shënues: Drigas 85′, Dvali 87′ / Zhufo 82′ pen.
Formacioni: Nurkoviç, Siljanovski, Bicaj, Polozhani, Musta, Sidibe, Useini, Gafuri, Nedeljkoviç, Bushiç, Muarem.
U aktivizuan edhe: Qirko, Veliu, Deliaj, Zuka, Hyseni, Tushi, Hoxhaj, Maze, Kamara, Zhuffo.