Trajneri flet nga Turqia për gjendjen e ekipit si dhe dy afrimet afrikane që sipas tij kanë firmosur me bardheblutë dhe do të bashkohen me skuadrën në Tiranë
Olsi Avdiaj
Ze Maria dhe Tirana e kanë nisur mbarë fazën përgatitore në Turqi. Pas tre ditëve stërvitje, bilanci është i pastër dhe pa dëmtime. Gjithsesi, në një intervistë nga Antalia për RTSH-në, trajneri brazilian ka zbuluar se Keneth Muguna dhe Musa Muhamed kanë firmosur me Tiranën. Lojtarët nuk do të jenë në fazën përgatitore turke, por ata do të jenë të gatshëm për në fillim të kampionatit.
–Mister, po djersitin djemtë. Duken sikur kanë shtuar pak në peshë, pas pushimeve të gjata?
Jemi këtu për tu stërvitur dhe për të rënë pak nga pesha. Pas tre javësh pushim është pak vështirë të jesh në ritëm të lartë dhe në formë për kampionatin. Po punojmë pak nga pak dhe do të shtojmë ritmin, derisa të vijë kampionati. Nuk kemi Binguilën, i cili ka qëndruar në Tiranë. Pjesa tjetër e ekipit është shumë mirë dhe shpresoj të jetë kështu.
-Asgjë nga merkatoja. Tirana pret afrikanët, si është e vërteta me ta?
Duhet të vijnë dy lojtarë kenianë me ekipin tonë. Njëri është Muguna dhe tjetri Musa Muhamed. Të dy janë mesfushë, por Muhamed luan edhe në mbrojtje. Janë lojtarë cilësorë dhe kanë fituar kampionatin në Kenia. Janë futbollistë të mirë dhe grupi do të jetë më i plotë pas ardhjes së tyre. Klubi e di, që kemi nevojë për lojtarë cilësorë për të vazhduar kampionatin me të njëjtin ritëm si në sezonin e parë. Na duhet gjak i ri dhe lojtarët duan të fitojnë.
-Pra, mund të themi që janë pjesë e Tiranës dy lojtarët afrikanë?
Si Muguna dhe Muhamed kanë firmosur kontratat dhe janë lojtarë të Tiranës. Kanë pasur probleme me dokumentacionin, por janë pjesë e jona. Nuk marrin dot vizë për të qenë në Turqi, por do të jenë me ne në Tiranë. Për ne është shumë pozitiv afrimi i tyre.