Nga modelja çeke te familja, merkato dhe zgjedhjet, flet menaxheri Haxhia!

Flet menaxheri i fuqishëm shqiptar në Itali, në një rrëfim “pa doreza”, ku prek çdo lojtar dhe temë, duke thumbuar Partizanin për Moxhin: Të ngjan me Stalonen, aktor i madh por i ka kaluar koha

Anton Cicani

Një ndër “golat” më të mëdhenj të tij në merkato, sigurisht, është Xhani de Biazi, basti i fituar i tij dhe i Armand Dukës, duke e zgjedhur në krye të stolit të Shqipërisë… Megjithatë, Sokol Haxhia, menaxheri shqiptar që jeton pre vitesh në Itali dhe që është një farë “guru” në merkato sa i përket sektorit me të rinjtë e talentuar shqiptar kryesisht përtej Adriatikut, nuk preferon të marrë medaljet dhe meritat dhe puna e tij ka vijuar si normalisht. Ashtu si të hënën e 15 janarit, kur teksa përgjigjet në telefon të thotë se është në një darkë pune… Fundja, telefoni është arma e menaxherit, përveç se takimet. E ndërsa ka shumë futbollistë për të sistemuar, mund të flasë edhe për shumë argumente të tjera. Për “Sport Ekspres”, rrëfimi i tij…

Sokol, merkato e janarit ka nisur dhe mesa duket bateria e telefonit nuk bën më…

(Qesh). E ndërrova… Përtej shakave, është periudha më e bukur për ne që merremi me këtë punë, por edhe më e lodhshmja.

Sokol Haxhia me modelen çeke, Lenka

Megjithatë, bëtë një pushim sa për të qenë i freskët, apo gabohem?

Sigurisht, duhej. Sidomos kur shkon me familjen.

Të kalojmë te tema e merkatos.

Po pres.

Armando Vajushi?

E kërkon Omonia dhe AEL Limasoli në Qipro. Ndërsa, në Itali interes kanë shfaqur Entela dhe Breshia, por ekziston edhe mundësia që të kalojë te Kievo në formë huazimi.

 

Brijan Ibrahimi, ku shkon?

Pritet që të transferohet nga Breshia te Kievo, të paktën në këtë drejtim janë duke shkuar gjërat.

Emanuele Ndoj?

E kërkon Roma dhe Verona në Serinë A, ndërsa në Serinë B është Avelino, por në fillim duhet parë se çfarë mendon presidenti i Breshias, Çelino.

Ndonjë transferim tjetër, së shpejti…

Le të themi që Loris Rrokaj i Sienës mund të kalojë te Breshia, ndërsa ka disa interesime për portierin e U-19, Malaj, për të luajtur në Itali. Dionis Sheshi, që aktivizohet me të rinjtë e Arecos, ka ngjallur gjithashtu interes, por klubi e sheh si gati për ekipin e parë.

Mund të na thoni për ndonjë trajner që do të lëvizë?

Në fakt nuk jam në brendësi të lajmeve…

De Biazi?

Jo, nuk e di të them, por mund të them diçka për Tramexanin. E duan në Serinë B disa skuadra dhe shumë shpejt mund të bëhet me ekip.

Planet për të ardhmen?

Ortaket e mi, vëllezërit Potenca dhe avokatja Maura Banti kanë planë të blejnë një ekip në Superligë dhe një në Itali, në Lega Pro.

Me familjen dhe bashkeshorten

Cilin ekip në Superligën shqiptare?

Top secret…

Diçka që nuk thatë?

Epo, ish funksionarja e FSHF-së, Elira Kajtazi është partnerja ime e ri në Shqipëri dhe përfaqësuesja e kompanisë FreeSport Managment për Shqipëri, Kosovë, Rusi, Greqi dhe kështu me radhë

Me ish punonjesen e FSHF, Elira Kajtazi (m)

Ndërkohë, po afrojnë zgjedhjet për presidencën e FSHF-së…

Dua të flas pa doreza. Edhe pse ka shumë polemika rreth figurës së Armando Dukës, tani është i vetmi në Shqipëri që mund të drejtoj atë institucion. Kur dëgjoj të thuhet se futbolli në Shqipëri nuk ka pasur përparime nën drejtimin e tij duket se flasin pa fakte… Mjaftojnë të kujtojmë Europianin me kombëtaren, Skënderbeun në grupet e Europa League, humbjet e ngushta ndaj katër herë kampionëve të botës, Italia, apo edhe emra big për stolin kuqezi si Sedorf, Zenga e të tjerë, që vite më parë do t’i ëndërronim, ndërsa sot i refuzojmë. Për mua, Duka meriton notën “10”.

E ndiqni politikën dhe për kë bëni tifo?

Nuk e kam ndjekur politikën në Shqipëri, por Edi Rama ka bërë ndryshime shekullore në pak vite dhe më ka bërë të jem tifoz i tij.

Ndërkohë, një skuadër që po has vështirësi dhe nuk po del dot nga “guaska” është Partizani, me një merkato gjithmonë e më shumë në kaos…

Jam tifoz i Partizanit por kur vjen puna për të kritikuar, nuk mund të kursehem. Partizanit i mjaftonte Starova, Tomorri, Musta dhe Shehu. Nuk ishte e nevojshme afrimi i një 80-vjeçari si Moxhi… Edhe Stalone ka qenë aktor i madh por ka kaluar koha e tij. Respekt për Moxhin, por çdo gjë ka një fillim dhe një fund.

E ndiqni kampionatin shqiptar dhe cili mendoni se është klubi ideal ose ai që ka bërë përparime të mëdha?

Nga Superliga më pëlqen si punon Takaj, që punon si një president largpamës. Uroj që Partizani me drejtorin Rama të ketë progres…

Me djalin Marko Haxhia

Vetëm Takaj ju pëlqen?

Nga puna, ndërsa presidenti më simpatik dhe gjenial është Hysenbelliu, që kam shumë respekt dhe dashuri për Teutën…Durrësi, vendlindja e babait tim, Hysen Haxhia, rekordmen i notit. Dua të shtoj dhe diçka…

Po, patjetër…

Futbollit shqiptar i mungon një president si Shpëtim Gjika. A, se harrova…

Vazhdoni

Uroj që Migen Memelli, lojtari që kam menaxhuar për shumë vite, një ditë të drejtoj një ekip në Superligë.

Me vajzen, Helena Haxhia

Edhe pse viti 2018 ka kohë që është futur, dëshirat e tua?

Të realizoj sa më shumë transferime dhe të kem kohë t’i dedikohem familjes dhe djalit Markoi, që nuk ëshë futbollist po DJ në Itali, vajzës Helena që po ecën mirë në rrugën si modele dhe balerinë, por edhe shoqes time të jetës, që shumë shpejt do të sjell në Shqipëri.

Dhe cila është “goditja juaj” në merkato?

Quhet Lenka Nemcova dhe është modele çeke.

Modelja çeke, Lenka Nemcova

Në fund, si do ta mbyllim, me ndonjë dedikim apo falënderim?

Të falënderoj ty për intervistën dhe sigurisht për çdo gjë që kam bërë në jetë, falënderoj publikisht nënën time, basketbollisten Suzana Sula.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *