Kur Partizani e bëri çorbë verën e shkuar, duke e nisur fazën përgatitore me vonesë, trajneri Mark Juliano dhe drejtuesit justifikoheshin për humbjet në miqësore: “Ngarkesa fizike nuk e lejon skuadrën të shprehet si duhet. Do ta shihni më vonë”.
Iku vera, vjeshta ishte për turp, dimri solli katrahurën e Gjirokastrës dhe tani te Partizani po mundohen të korrigjojnë gabimet e së shkuarës, duke larguar lojtarë të rëndësishëm.
Sot erdhi humbja e dytë në miqësore, këtë radhë nga Paktakorit të Uzbekistanit, ndërsa mjaftonte të shihje golat, për të kuptuar se gjendja e Partizanit është mjaft shqetësuese.
Më e keqja është se edhe justifikimet janë po të vjetrat, mjafton të dëgjosh Bathën duke folur për RTSH Sport: “Nuk jemi ende në 100% e formës, por jemi të kënaqur, pavarësisht rezultatit të marrë në këtë ndeshje. Shkaktari kryesor i humbjes ndaj Paktakorit me rezultatin 3-1 ishte ngarkesa e madhe fizike. Ekipi kundërshtar ishte gati për kampionat, ndërsa ne kemi ende disa ditë për t’u përgatitur për të”, deklaron Batha, i cili duket qartë që nuk është se e ka idenë fort se kur nis kampionati në Uzbekistan, duke qenë se ai nis pas disa javësh, ndërsa në 30 janar Paktakori do të luajë në Champions League të Azisë, 3 ditë pas Partizanit. Pyetja është: vetëm Partizani bën stërvitje të lodhshme, të tjerët bëjnë gallatë dhe mundohen si e si të fitojnë ndonjë miqësore?