Belica i bashkohet grupit dhe sulmuesi Fall vjen në provë. Mbrojtësi ka vetëm 5 ndeshje zyrtare në 2017, senegalezi një CV të varfër. Drejtuesit në “hall”…
E dini kush është gabimi më i madh që ka bërë Partizani? Drejtuesit kanë futur veten në presion. Të kuqtë dobësuan radhët duke u detyruar që në merkato të ndërhyjnë me urgjencë dhe shpejtësi. Kampionati po afron dhe duhet të plotësohen radhët e lëna bosh. Largimi i Malotës, Krasniqit dhe Vilës ka lënë jo pak hapësira në kampin e kuq. Drejtuesit e klubit duhet të mbushin “gropat”, lëvizjet pritet të kryhen nga Luçiano Moxhi. Italiani ka marrë përsipër afrimin e futbollistëve dhe të gjithë po presin shpërthimin e “bombave” nga këshilltari i presidentit Gaz Demi. Sigurisht, jo prej atyre që “plasën” në verë. Ditën e djeshme, Partizani ka zyrtarizuar 3 afrime. I pari është braziliani Lukas. Sulmuesi iu bashkua më në fund ekipit dhe u vendos nën urdhrat e trajnerit Sulejman Starova. Ish-lojtari i Pelister Bitolës ishte marrëveshja e parë e klubit të kuq për merkaton e janarit. Ai u pëlqye në një ndeshje miqësore që të kuqtë zhvilluan me ekipin maqedonas. 23-vjeçari udhëtoi nga Brazili ditën e djeshme dhe arriti në destinacionin e tij, Turqinë. Zyrtarizimi i dytë i Partizanit ishte mbrojtësi Egzon Belica.
BELICA – Mbrojtësi u përfol për një kalim të mundshëm te skuadra e kuqe që në momentin që “demat” rinisën përgatitjet. Trajneri Artim Shaqiri propozoi emrin e tij. Fillimisht, alternativa e tij ra poshtë nga drejtuesit e kuq, por largimi i Krasniqit dhe Malotës solli një gjendje alarmante në grup. Atanda është i vetmi mbrojtës qendre që mund të japë disi siguri. Drejtuesit kontaktuan Belicen dhe e afruan me skuadrën. Mbrojtësi ka luajtur së fundmi me Rigan, por pati një aventurë të shkurtërve me këtë ekip. Ai do të jetë pjesë e 15 herë kampionëve të vendit dhe do të programohet titullar me nigerianin Atanda.
FALL – Partizani ka zyrtarizuar edhe afrimin e një tjetër futbollisti. Fjala është për sulmuesin Ameth Fall. Futbollisti do të jetë për një periudhë prove te skuadra kryeqytetase. Lojtari është pjesë e Komos në Itali, ndërsa karriera e tij ka qenë e përqendruar në Seria C. Karriera e tij ka ulje dhe ngritje, ndërsa CV-ja e tij nuk të lë shumë mbresa. Ai do të qëndrojë për disa ditë me “demat”, më pas do të vendoset për fatin e tij. Ideja fillestare është që futbollisti të mos qëndrojë, por ndoshta 26-vjeçari arrin të bindë stafin teknik.
KLUBI – Partizani ka bërë të ditur afrimet e reja përmes një shkrimi në faqen zyrtare në “Facebook”. “Me ekipin bashkohen braziliani Lukas dhe mbrojtësi Egzon Belica. Skuadra ka mbyllur ditën e katërt të përgatitjeve në Antalia. Programi stërvitor ka qenë mjaft i ngjeshur, teksa grupi po stërvitet me ngarkesa të lartë fizike me dy seanca në ditë, paradite dhe pasdite. Me ekipin sot (dje) janë bashkuar braziliani Lukas Fereira Kardoso dhe Egzon Belica. Mbrojtësi 27 vjeçar është aktivizuar së fundmi në Finlandë me Inter Turku. Pranë ekipit është afruar edhe senegalezi Ameth Fall, i cili do të vëzhgohet nga stafi teknik përgjatë përgatitjeve në Antalia. Të premten skuadra do të zhvillojë edhe ndeshjen e parë miqësore përballë ekipit turk Kasimpasa, takim i cili do të luhet në 13:30 me orën shqiptare”, -lajmëron klubi i kuq.
Belica s’kishte ekip,
nuk luan që prej prillit
Mbrojtësi Egzon Belica është një bast i rrezikshëm për skuadrën e Partizanit. 27-vjeçari nuk ka pasur ekip gjatë gjysmës së parë të sezonit. Ai nuk ka luajtur me asnjë skuadër. 27-vjeçari që nga momenti kur është larguar nga Riga nuk ka asnjë ndeshje zyrtare. Ndeshja e fundit e shtatlartit është data 22 prill 2017. Ai nuk ka luajtur asnjë sfidë tjetër që nga ajo datë. Afrimi i tij me grupin dhe përshtatja e tij është një bast i rrezikshëm. Trajneri Sulejman Starova duhet ta përgatisë sa më mirë fizikisht që ta ketë gati për fillimin e pjesës së mbetur të sezonit.