Dedja: S’heqim dorë nga objektivi i mbijetesës

Në një linjë me trajnerin janë edhe sulmuesit Sefa e Canka, të cilët besojnë se me punë e disa përforcime skuadra do të luajë futboll efikas

Arjan Likja

Skuadra lushnjare është akomoduar dje në resortin “Tropikal”, ku ka nisur fazën përgatitore në kushte shumë më komode. Për këtë janë të gjithë të kënaqur, por tani duhet që skuadra të fuqizohet me disa lojtarë me përvojë për të arritur rezultatet e dëshiruara. Trajneri Hysen Dedja dhe sulmuesit Fatjon Sefa dhe Mikel Canka kanë besim se Lushnja do të jetë më e fortë në vazhdim të kampionatit dhe nuk do të heqë dorë në asnjë moment nga objektivi i qëndrimit në elitë. Për “Supersport”, trajneri Dedja u shpreh: “Për 2018-ën kemi zhvilluar 3 seanca, 2 në Lushnjë dhe sot (dje) në Durrës. Kushtet janë mjaft të mira këtu dhe qëllimi ynë është që lojtarët të përgatiten sa më mirë për pjesën e mbetur të sezonit. Janë afruar lojtarë të kampionatit shqiptar, por dhe të Kategorisë së Parë, gjithashtu edhe Memini, i cili ka luajtur me Kukësin. Ka qenë vullnet i të dyja palëve. Me bisedat që kam pasur me disa trajnerë apo menaxherë, u kam thënë kushtet që kemi ne si Lushnjë, mundësitë ekonomike dhe duam të bëjmë të mundur afrimin e disa lojtarëve në ato reparte që duhet. Unë nuk heq dorë nga lufta për mbijetesë”, – theksoi trajneri Dedja.

SEFA – “Normalisht, kushtet në “Tropikal” janë optimale për të bërë një minifazë përgatitore. Shpresoj të marrim më të mirën, të mos kemi dëmtime. Të tjerat ia lëmë kohës. Ekipi ka nevojë për prurje të reja. Kishim dëmtime, që na privuan rezultatet pozitive. Uroj të vijnë lojtarë cilësorë dhe të vazhdojmë garën për mbijetesë. Duhet të shpresojmë te mbijetesa, por kjo arrihet vetëm me punë”.

 

CANKA – “Po punojmë në kushtet shumë të mira dhe do të zhvillojmë edhe ndeshje miqësore. Kemi akoma për të bërë. Lushnja nuk është se është e rënë, edhe pse kështu na quajnë. Është garë e ashpër do të bëjmë maksimumin, nuk kemi shkopin magjik, por do të japim maksimumin në fushë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *