Antalia kryeqytet i futbollit shqiptar. Të paktën për dy javët e ardhshme duhet quajtur kështu, sepse thuajse gjithë Superiorja zbarkon në bregdetin turk, ku ofrohen kushte ideale dhe temperatura perfekte.
Edhe Flamurtari e Partizani ja e nisur sot për në Turqi, me të njëjtin avion. Një kombinim i çuditshëm, pasi bëhet fjalë për klube rivale për kreun, që deri në Shën Valentin do të përballen tre herë mes kampionatit e kupës. Asgjë anormale, përvec faktit që në stoli vlonjat është Shpëtim Duro. Arkitekti i Flamurtarit të ri, që po guxon të kërcënojë edhe kreun, por që pak si shpesh është ndalur edhe nga arbitrat, në të shkuarën ka qenë simbol i rindërtimit të Partizanit.
Ashtu si tani në Vlorë, Duro ndërto Partizanin aktual, atë që u ngrit nga rrënojat falë investimeve të Gaz Dëmit dhe që rigjen Europën pak vite më parë. Ishte një Partizan me pak luksoz se i tanishmi, me shumë futboll sesa llafe. Paga të ulëta, rezultate të mira. E megjithatë, Duros i bënë dalje, ose “puç”, sepse te Partizani thonë që këto gjëra i kanë shumë qejf. Ndoshta kjo është një arsye madhore pse Partizani nuk fluturon dhe tifozët turbullojnë sa herë shkojnë në stadium, ose nuk shkojnë fare prej shumë kohësh.
E megjithatë, Duro nuk e ka problem, edhe pse në avion do të jetë më Sulejman Starovën, ai që i ka marrë vendin. Shpesh Duro e ka pranuar se largimi nga Partizani ishte një goditje pas shpine për të, por tani sheh përpara, është kthyer në vlonjat dhe ndoshta Starovës do t’i shtrëngojë dorën. Ndoshta…