Më 26 mars do të zhvillohet në “Elbasan Arena” takimi miqësor mes përfaqësueses sonë dhe asaj të Norvegjisë. Marrëveshja është zyrtare mes dy federatave dhe ka mbetur për t’u publikuar vetëm orari i ndeshjes.
Ishte një datë e lirë për ndeshje miqësore dhe do të shërbejë si një test serioz për ekipin e drejtuar nga Kristian Panuçi, duke qenë se përballë është një kombëtare goxha e rëndësishme.
Me Norvegjinë kemi njohje të vjetra. Sfida e parë kundër skuadrës norvegjeze daton në vitin 1998 në Oslo dhe ka përfunduar në barazim 2-2. Në total Shqipëria është ndeshur 4 herë më skandinavët, duke fituar një herë me gol spektakolar të Salihit në Norvegji, ka barazuar 2 herë dhe është mundur një herë.
Në fund të janarit Shqipëria do të njohë edhe kundërshtarët e saj në grup për kompeticionin e ri që nis në shtator, UEFA Nations League. Ky kompeticion do të zhdukë miqësoret dhe do të jetë një rrugë e mirë për të shkuar në Europian.