Mesfushori ofensiv i bluve, 19-vjeçari Nuri është i lumtur me aktivizimin. Ai tregon ambiciet për Vitin 2018 me blutë dhe në aspektin personal
Erjon Saliu
Dinamo e mbyll në pesë vendet e para Vitin 2017, pra brenda objektivit me rezultate të mira, 4 fitore, 5 barazime dhe 3 humbje. Një sezon më i mirë nga ai i vitit të kaluar te blutë e trajnerit Igli Allmuça që janë ndërtuar thuajse nga e para. Një skuadër me shumë elementë të rinj të afruar në merktaon e verës, por që kanë mbajtur edhe disa nga kualitetet e vitit të shkuar. Peqini, Tragaj, Muça, Gjata, bashkë me më të rinjtë: Nuriu, Lika, Il. Allmuça, Hasa e shumë të tjerë përbëjnë bazën e skuadrës dinamovite këtë sezon që synon të jetë në pesë ekipet më të mira. Por, edhe të ndërtojë “boshtin” për vitin e ardhshëm, ku synohet që të ndërtohet një ekip me pretendime për në Superiore.
NURIU – Rei Nuriu është vetëm 19 vjeç dhe një nga lojtarët e afruar gjatë verës te Dinamo. Nuriu është një lojtar me perspektivë, madje ka luajtur edhe me Kombëtaret e moshave. Nuri është grumbulluar së fundmi edhe me Shpresat U-21, ndërsa shihet si një lojtar me shumë të ardhme. Tashmë që Dinamo e ka mbyllur sezonin, Nuriu ka luajtur si titullar në të gjitha ndeshjet, madje numëron 870 minuta. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, mesfushori me tipare ofensive, Rei Nuriu, thotë: “Jam i kënaqur që kam luajtur pothuajse rregullisht me Dinamon dhe për këtë i jam mirënjohës trajnerit Igli Allmuça dhe stafit që kanë besuar tek mua. Më vjen mirë që Dinamo e mbylli Vitin 2017 në pesë vendet e para. Një arritje, por unë kam besim se do të jemi akoma më solid në sezonin e ardhshëm. Gara ka qenë e ashpër, të mos harrojmë së në grupin tonë ka shumë skuadra të forta, madje mund të përmend edhe Besën, Besëlidhjen, Kastriotin apo dhe Tërbuni e ndonjë tjetër. Unë personalisht kam si synim që edhe në 2018 të luaj sa më shumë, të rritem profesionalisht si dhe të bëhem titullar te Shpresat U-21. Është nder të veshësh fanellën e Dinamos. Kam besim se ne pjesën e dytë të sezonit ne do të jemi një skuadër akoma më e fortë dhe me synim për të qenë ndoshta në 3 vendet e para”, – ka theksuar Rei Nuriu, një nga lojtarët titullarë të Dinamos.
ALLMUÇA – Trajneri Igli Allmuça, bashkë edhe me ndihmesat e tij duket se ka bërë një punë kolosale. Largimi i shumë titullarëve nga sezoni i shkuar duket se ka prishur skuadrën, por gjatë verës Allmuça bashkë me stafin besuan dhe ndërtuan një ekip dinjitoz që merr pjesë në një grup mjaft të vështirë. Tashmë, situata është shumë ndryshe. Dinamo, jo vetëm që ka një grup që funksionon shumë mirë, por e mbylli Vitin 2017 brenda objektivit që ishte vendi i 5-të në renditje.