Partizanit i ofrohet kopja e Soues, vjen nga Karpi

Lamin Xhauo është i gjatë 1.93 cm. I huazuar nga Karpi te Feralpisalo në Serinë C. Afrikani është nga Gambia dhe ka të dhëna të ngjashme me sulmuesin e Skënderbeut

Partizanit i ofrohet sulmuesi i Karpit, i cili ndodhet në huazim te skuadra e Feralpisalos, Lamin Xhauo. Largimi i Xhevahir Sukajt është thuajse zyrtar, ndërsa pritja e Edgar Çanit ka rritur besimin te skuadra e të kuqve. Reparti që kanë vuajtur më shumë kryeqytetasit ka qenë ai i sulmit. Trajneri Sulejman Starova e ka gjetur zgjidhjen me Bardhin dhe Prognin, që kanë bërë mjaft mirë, por nuk janë sulmues të mirëfilltë. Kjo rrit nevojën për të pasur një sulmues tjetër në ekip.

Drejtori Olsi Rama e pranoi këtë në prononcimin e tij për “Supersport”. “Duam të afrojmë edhe një tjetër sulmues, pasi duam të kemi më shumë garanci”, – u shpreh ai. Nisur nga ky fakt, menaxherë të ndryshëm kanë ofruar sulmues për Partizanin. Burime të ndryshme pranë klubit të kuq bëjnë me dije se emri më i fundit që u është ofruar të kuqve për repartin e sulmuesit është afrikani Lamin Jauo vjen nga futbolli italian.

PROPOZIMI – Sulmuesi është në pronësi të ekipit të Karpit. 22-vjeçari nuk ka gjetur hapësira te skuadra e Serisë B dhe është huazuar te Feralpisalo. Drejtuesit e Karpit duan që futbollisti të marrë minuta në Serinë C dhe të ketë mundësinë të aktivizohet. Megjithatë, afrikani nuk ka gjetur shumë hapësira as në ekipin e Serisë C, pasi ka luajtur vetëm në 10 ndeshje, nga të cilat i ka filluar vetëm 5 si titullar. Shtatlarti nuk ka arritur të gjejë asnjëherë rrugën e rrjetës. Jauo po sheh mundësinë e largimit edhe nga skuadra e Feralpisalos, pasi kërkon të ketë më shumë qëndrueshmëri dhe minuta. Partizani është një alternativë e mirë, por nuk është kaq e thjeshtë. Deri në këto momente që flasim kemi të bëjmë me një propozim drejt klubit të kuq, nuk ka ende asnjë hap konkret.  

KOPJA E SOUESË – Xhauo cilësohet si kopja e sulmuesit të Skënderbeut Ali Soue. Të dy janë nga shteti afrikan i Gambias. Të dy janë shtatlartë dhe kanë luajtur në futbollin italian. Skënderbeu peshkoi afrikanin pikërisht nga Seria C ku po luante për Vibonesen.
Partizanit i është propozuar 22-vjeçari pikërisht prej këtyre karakteristikave.

XHAUO – Sulmuesi është vetëm 22 vjeç. CV-ja e tij nuk është e pasur, pasi ka luajtur me ekipe të dorës së dytë në Itali. Kartonin e tij e zotëron ekipi i Karpit. Ai nuk ka arritur të fitojë vendin te kjo skuadër. Xhauo u huazua te Robur Siena, por nuk arriti të gjejë veten. U rikthye te Karpi për tu huazuar sërish drejt Feralpisalos. As aty, sulmuesi nuk po e gjen veten dhe mendohet se në një kampionat me të dobët, siç është Superiorja, mund të bëjë mjaft mirë.

MUNDËSIA – Partizanit i ka djegur humbja e sulmuesit të Skënderbeut Ali Soue. Afrikani iu propozua fillimisht të kuqve që nuk e pranuan, por më pas arriti të kthehej lider te korçarët. Të kuqtë nuk duan të përjetojnë një “Soue 2”, por rastet janë krejtësisht të kundërta. Soue kishte një karrierë më të pasur dhe më shumë minuta loje, ndryshe nga Lamin Xhauo. Megjithatë, mosha e tij e re dhe të dhënat duken premtuese. Të shohim dhe të presim nëse “demat” do ta refuzojnë, apo do të fillojnë të mendojnë seriozisht për të.

 

Skeda e lojtarit

Emri – Lamin

Mbiemri– Xhauo

Vendlindja – Gambia

Datëlindja – 15 mars 1995

Mosha – 22 vjeç

Pozicioni – Sulmues

Gjatësia – 193 cm

Pesha – 79 kg

Karriera

2014–2015 Vado 26 (3)

2015–2016 FBC Finale –    –

2016 – Carpi 3 (0)

2017 ? Siena (huazim) 9 (1)

2017– ? Feralpisalò (huazim) 10 (0)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *