Tërbuni pa “frena” në dëborë, Krepi: Kemi mundësi për më shumë

Pukjanët luajnë në -5 gradë celsius duke marrë 3 pikë që i afrojnë me kreun. Lezhjanët me mungesa nuk ja dalin në acarin pukjan

 

Gani Pema

Dëborë, spektakël dhe gola: Tërbuni është i katërti në grupin A të Kategorisë së Parë, sepse mundi 2-1 Besëlidhjen, në një ndeshje të prapambetur ku secila ekip kërkonte 3 pikë të arta për vetë objektivat madhorë që kanë këtë sezon. Tërbuni ka pasur një rritje të jashtëzakonshme kohët e fundit dhe duket se ka gjetur ritmin e duhur, ndaj kërkonte ta shfrytëzonte më së miri faktorin fushë, për të marrë fitoren e parë shtëpiake në kampionat. Një meritë të madhe ka trajneri Kreshnik Krepi, bashkë edhe me stafin e tij, apo drejtori teknik Kërnaja, që vazhdimisht kanë besuar te skuadra e tyre. Ndërkaq, Besëlidhja fitoi fundjavën e shkuar në Kavajë dhe me një sukses tjetër shtonte presionin mbi Kastriotin kryesues. Triumfoi mes dëborës Tërbuni, që u përshtat më mirë me fushën dhe në minutat 71-të e 79-të, goditi me Sead Hoxhajn dhe Saliajn. Barazimi i përkohshëm i Robert Milotit në minutën e 77-të zgjati fare pak dhe Besëlidhja pëson humbjen e tretë sezonale. Me 14 pikë në 11 ndeshje, Tërbuni vijon “fluturimin” dhe të shtunën pret Besën plot halle, ndërsa Besëlidhja do të kërkojë autokritikë në Lezhë ndaj Erzenit. Pukjanët e trajnerit Krepi afrohen me kreun dhe duke pasur parasysh edhe formulën e kampionatit, tashmë janë në lojë për të shpresuar te elita, ndonëse diferencat me krutanët janë të dukshme momentalisht.

Krepi: Fitore sakrifice, mundësitë për më shumë

Trajneri i skuadrës së Tërbunit, ka qenë mjaft i lumtur pas sfidës së djeshme me Besëlidhjen. Krepi, për gazetën u shpreh: “Jam shumë i lumtur, ishte një fitore sakrifice dhe ne besuam deri në fund. Ashtu si unë besoj shumë te ky Tërbun, lojtarët reaguan dhe treguan se ne jemi një familje dhe të gjithë besojmë te forca që kemi si ekip. Tashmë jemi brenda objektivit me këtë fitore, por duhet që të mos kënaqemi me kaq. Mund të them se kemi bërë vetëm detyrën, pasi duhet që të kishim edhe disa pikë më tepër që na takonin. Shohim përpara, mendojmë për ndeshje  e radhës dhe projektojmë 3 pikët për t’u afruar sa më shumë me kreun, ku ne e kemi vendin”, – tha trajneri Kreshnik Krepi pas ndeshjes së djeshme.

Tërbuni  – Besëlidhja 2-1

Shënues: Hoxhaj 70’, Saliaj 79’ / Miloti 76’

Tërbuni: Rexhepi, Balaj, Beci, Shytani, Zagani (Janot 89’), Pepa, Mezini, Saliaj (Rustemaj 89’), Nimani, Shaba (Hasa 87’), Hoxha. Trajner: K. Krepi.  (Në dispozicion: Mehidri, Rustemaj, Blinishta, Janot).

Besëlidhja: Bajri, Ndreca, Ajazi, Miloti (Hepaj 72’), Dore, Konte, Përgjoni, Dibra, Vocaj, Frroku, Met’hasani. Trajner: G. Lani (Në dispozicion: Dyca, Dushaj, Malaj, Demi, Miloti)

Kartonë të verdhë: Beci / Ndreca, Vocaj, Dyca

Gjyqtarë: B. Kaimi, E. Shehu (Tiranë), P. Puto (Gjirokastër), A. Stolaj (Tiranë)

Delegat: Justin Bespalla  (Durrës)

Vëzhgues : Arben Pregja (Tiranë)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *