“Firo” te Kamza, Mustafa e Neziri lojtarë të lirë

Mesfushori dhe mbrojtësi kanë ndërprerë me konsensus kontratën pas bisedimeve me presidentin Naim Qarri

Kamza ka bërë një kampionat të mirë deri më tani, duke qenë madje pretendente për një vend në kupat e Europës. Sigurisht për t’ia arritur këtij qëllimi duhet vazhdimësi, duke nisur nga ndeshja e radhës me Flamurtarin ditën e nesërme. Por së fundmi kanë nisur lëvizjet e para dhe nën urdhrat e trajneri Ramadan Ndreu në pjesën e dytë të sezonit nuk do të jenë Mërgim Neziri dhe Argjend Mustafa. “Sport Ekspres” mëson se të dy këta futbollistë kanë tërhequr lejekalimet dhe tashmë janë në pritje të ofertave. Nga ana e Kamzës ka pasur një tentativë për t’i bindur ata që të qëndrojnë, por futbollistët e kanë parë më të arsyeshme të luajnë gjetkë.

MUSTAFA
Mesfushori nga Vushtrria në Shqipëri ka spikatur fillimisht me Besën e Kavajës, për të kaluar më pas te Partizani, ku qëndroi për gjashtë muaj. Mungesa e hapësirave dhe oferta e Laçit e bindi të ndryshojë ambient. Me kurbinasit ishte titullar për një sezon e gjysmë dhe një nga lojtarët kryesorë në sukseset e bardhezinjve, madje fitoi edhe Kupën e Superkupën e Shqipërisë. Tirana ishte destinacioni i radhës, për t’u rikthyer janarin e shkuar te Vushtrria në Kosovë. Në verë i erdhi oferta nga Kamza, me trajnerin Ndreu që e njihte mirë mesfushorin, me të cilin kishte bashkuar te Laçi. 25-vjeçari ishte i pafat dhe që në ndeshjen e parë me Kukësin u dëmtua dhe vetëm para një muaji është kthyer. Gjatë këtyre javëve Mustafa ka luajtur vetëm në ndeshjen e Kupës me Teutën para një jave dhe tashmë ka ardhur “divorci” me Kamzën. Superiorja mbetet një opsion për mesfushorin, që tashmë është lojtar i lirë.

NEZIRI

Mbrojtësi i majtë luajti për herë të parë në Superiore këtë sezon, ndërkohë që në të shkuarën është aktivizuar në Gjermani me Nuremberg II, Aalen dhe Seligenporten. Neziri ka qenë edhe pjesë e Botoshanit në Rumani dhe më pas u transferua te Prishtina në Kosovë. Në verë mbyll kontratën me bardhekaltrit dhe mjaftoi një miqësore te Kamza për të bindur trajnerin Ndreu dhe drejtuesit për t’i ofruar një kontratë. Firma erdhi dhe në fazën e parë ai luajti si titullar. Pas ndeshjes me Laçin, kur edhe u ndëshkua me karton të kuq, për të hapësirat ishin të pakta. Stafi teknik zhvendosi në të majtë Idrizajn dhe djathtas ka luajtur Frashëri. Tashmë kapitulli i Nezirit të Kamza është mbyllur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *