Kur shënon shumë, vlen shumë, ajo dihet. Mauro Ikardi në këtë moment është ndër sulmuesit më të mirë në botë dhe ka shënuar 17 gola në 17 ndeshje kampionati, duke mbërritur në kuotën e 95 golave me Interin. Natyrisht, çdo gol shton vlerën e tij në treg dhe interesimin e klubeve më të pasur në Europë. Për pasojë, kontrata e rinovuar në vitin 2016 është tashmë tepër e vogël për Ikardin dhe agjenten seksi Uanda Nara, e cila po ushtron presion gradual për rinovim me rritje të konsiderueshme page.
Kontrata aktuale skadon në verë të vitit 2021, me pagë 5,5 milionë euro në sezon, por ka një problem madhor ku Interi është në siklet dhe duhet të veprojë shpejt, që në janar.
Ikardi vlen 110 milionë euro për klubet nga jashtë Italisë dhe që në verën e ardhshme largohet pa e pyetur fare Interin, nëse arrin marrëveshjen me ndonjë klub tjetër.
Zgjidhja e vetme: rinovim me 7 deri në 7,5 milionë euro pagë në sezon, zgjatje deri në 2022, klauzolë e ndryshuar, nga 100 milionë, në 200 milionë. Kjo është oferta e Interit, raportojnë mediat italiane, por duhet parë sa dakord do jetë Ikardi me këtë klauzolë, sepse sulmuesi argjentinas kërkon të jetë më e ulët.