Trajneri i lezhjanëve optimist: “Jemi me “këmbë në tokë”. Marrim 3 pikët dhe konsolidojmë pozitat”
Bernard Gjikolaj
Besëlidhja, dje pasdite, nën drejtimin teknik të trajnerit Gledis Lani iu dha fund përgatitjeve për transfertën e prapambetur ndaj Tërbunit që do të luhet sot në orën 13:00 në Pukë. Lezhjanët shkojnë në këtë transfertë pas fitores së thellë me shifrat 4-1 në Kavajë, një fitore që i ka lënë realisht në ballë të luftës për kreun e klasifikimit që i ngjit në Superiore.
LANI – Trajneri Gledis Lani, në prononcimin e tij për “Sport Ekspres” u shpreh: “Duke shfrytëzuar fitoren javës së shkuar në Kavajë punuam me intensitet dhe me moral të lartë për të rikuperuar forcat që kishim shkarkuar në ndeshjen ndaj Besës që e fituam bindshëm me goleadë, një fitore që na dhuroj tri pikët e dëshiruara. Tani, skuadra është në parametrat e duhur nga të gjitha pikëpamjet, ndaj jemi plotësisht të gatshëm për ta përballuar sfidën në Pukë ndaj Tërbunit. Gjatë gjithë kohës që kemi pasur në dispozicion, jemi munduar për të zhvilluar një stërvitje racionale dhe të diferencuar për disa sektorë dhe individë që kemi menduar se nuk janë në lartësinë e duhur. Në Pukë do të luftojmë për fitore dhe shpresoj se me këtë përgatitje që ka skuadra do ja dalim, gjithsesi gjithçka do ta vendosë përballja direkt në arenën e blertë pukjane. Nga skuadra kërkoj që ato veprime që i ka kryer shumë mirë në stërvitje t’i aplikojë edhe në ndeshjen ndaj Tërbunit me grintë”, – kështu e mbylli bisedën trajneri i Besëlidhjes, Gledis Lani.
Formacioni i mundshëm: Bajri, Vocaj, Dibra, Dore, Ndreca, I. Kamara, Hepaj, Konte, Përgjoni, Frroku, Malaj.
Trajner: G. Lani